Connect with us

Sport

Jamal thyen Mesin, Spanja mposht Argjentinën dhe ngjitet në majën e Botës pas 16-vitesh

Spanja është kampionia e re e Botës. Iberikët triumfuan 1-0 ndaj Argjentinës në finalen spektakolare të zhvilluar në “MetLife Stadium”, duke e zgjidhur sfidën vetëm pas 120 minutash lojë.

Skuadra e Luis de la Fuente e nisi ndeshjen më mirë dhe krijoi rastin e parë të rrezikshëm që në minutën e pestë. Lamin Jamal provoi pas asistit të Dani Olmos, por goditja e tij u devijua nga Lisandro Martínez dhe u ndal nga portieri Emiliano Martínez.

Vetëm një minutë më vonë reagoi Argjentina me një kundërsulm të shpejtë. Lionel Mesi depërtoi mes mbrojtësve spanjollë, por Unai Simon doli në kohë nga porta dhe neutralizoi rrezikun. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Edhe në startin e pjesës së dytë Spanja ishte më kërkuese. Aleks Baena provoi fatin në minutën e 46-të, por Emiliano Martinez ishte sërish i vëmendshëm.

Fundi i kohës së rregullt ishte plot emocione. Niko Uilliams iu afrua golit, por portieri argjentinas bëri një tjetër pritje vendimtare. Më pas Argjentina mbeti me 10 lojtarë, pasi Enzo Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Pau Kubarsi. Në minutën e fundit shtesë të kohës së rregullt, Lamin Jamal provoi nga goditja e dënimit, por Martínez realizoi një tjetër pritje spektakolare.

Pavarësisht dominimit të spanjollëve, 90 minutat përfunduan në barazim 0-0 dhe fituesi u përcaktua në dy pjesët shtesë.

Spanja vazhdoi të ushtronte presion edhe në kohën shtesë. Në minutën e 93-të, Niko Uilliams rrezikoi me kokë, por Emiliano Martinez ishte sërish vendimtar. Tre minuta më vonë, Uilliams dërgoi topin në rrjetë, por arbitri e anuloi golin për një faull të Mikel Merinos ndaj Nikolas Otamendit gjatë aksionit.

Pjesa e parë e shtesës u mbyll pa gola, ndërsa në fillimin e 15 minutave të fundit erdhi momenti që vendosi finalen. Pas një krosimi në zonë dhe asistit të Niko Uilliams, Ferran Torres shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Me këtë sukses, Spanja fiton Kupën e dytë të Botës në historinë e saj, pas triumfit të vitit 2010, ndërsa Argjentina nuk arrin të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë.

Ferran Torres hyn në historinë e futbollit spanjoll si autori i golit që riktheu “La Roja” në majën e botës.

Advertisement