Politike
Jepet paralajmërimi nga qeveria: Përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç
Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje të miturve dhe prindërve të tyre të tregojnë kujdes për përfshirjen në incidente të dhunshme gjatë protestave, duke rikujtuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht personat nga përgjegjësia penale.
Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, sqaroi se, sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Paralajmërimi vjen në një kohë kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me incidente dhe përplasje, përfshirë edhe sulmin ndaj Gjykatës së Apelit.
Ruseti theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por ajo nuk i përjashton individët nga përgjegjësia për veprimet e tyre. Sipas saj, dhuna ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimi i pronës publike ose private, zjarrvënia, vjedhja dhe mbajtja e paligjshme e armëve apo mjeteve shpërthyese janë veprime për të cilat mund të ketë pasoja ligjore.
“Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale”, deklaroi Ruseti, duke nënvizuar se përgjegjësia do të vlerësohet për çdo person veçmas, në bazë të veprimeve konkrete dhe provave, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.
Zëvendësministrja deklaroi gjithashtu se situata është nën kontroll, pavarësisht incidenteve të regjistruara gjatë protestave. Ajo falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes së ministrisë për t’i shoqëruar fëmijët në shkollë, me synimin për të shmangur përfshirjen e tyre në situata ku mund të rrezikohen nga përplasjet.
Në mesazhin e saj drejtuar të rinjve që ndodhen pranë zonave të tensionit, Ruseti u kërkoi të largohen nga dhuna dhe të mos ndikohen nga presioni i grupit, nxitjet e të tjerëve apo thirrjet në rrjetet sociale.
“Ushtroni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, ishte thirrja e zëvendësministres, e cila theksoi se pjesëmarrja në protestë nuk e bën një person përgjegjës për veprimet e të tjerëve, por secili duhet të përgjigjet për sjelljen e vet.