Connect with us

Kosova

Joseph: Uashingtoni nuk është i interesuar për lojërat e Vuçiqit, Irani dhe Rusia janë kërcënime për Ballkanin

Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për sigurinë e gjithë Evropës, ndërsa ndikimet e jashtme dhe tensionet e brendshme vazhdojnë ta bëjnë rajonin një pikë të ndjeshme gjeopolitike.
Kështu vlerëson eksperti për Ballkanin, Edward Joseph, i cili thekson se qasja e gabuar e Evropës ndaj rajonit ka ndikuar në paqëndrueshmërinë e tij.
Sipas Joseph, aktorë si Rusia, Kina dhe Irani po shfrytëzojnë çështjet e pazgjidhura në Ballkan për të rritur ndikimin e tyre.
“Irani kreu një sulm të madh kibernetik ndaj Shqipërisë… krimi i organizuar në Ballkan është një tjetër kërcënim kronik për Evropën”, shprehet ai për Danas dhe shton se rajoni përbën edhe një test për vetë Bashkimin Evropian.
Eksperti paralajmëron se ekziston rreziku i një destabilizimi të ri në rajon, ndonëse jo në përmasat e luftërave të viteve ’90.
Sipas tij, mungesa e orientimit të qartë strategjik në Beograd është faktor kyç.
Duke folur për marrëdhëniet me SHBA-në, ai vlerëson se Aleksandar Vučić nuk ka arritur të ndërtojë raportet që pretendon.
Joseph kritikon edhe politikën e “balancimit” të Serbisë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Joseph tha se ai mund të prodhojë vetëm zgjidhje të pjesshme pa një ndryshim strategjik nga Serbia. Ai gjithashtu kujtoi gjithashtu se edhe gjatë qeverisë së Avdullah Hoti, përparimi u minua nga provokimet serbe pas Marrëveshjes së Uashingtonit. Si zgjidhje, ai propozon një qasje të re strategjike, përfshirë afrimin e Serbisë dhe Kosovës me NATO-n.
Në tërësi, mesazhi i tij është i qartë: pa një orientim të qartë strategjik dhe pa adresimin e ndasive rreth Kosovës, Ballkani Perëndimor do të mbetet një burim i vazhdueshëm pasigurie për Evropën.

Advertisement