Connect with us

Sport

“Ka prapavijë politike!” Kreu i futbollit italian ngre akuza të forta ndaj FIFA-s

Kritikat ndaj FIFA-s për vendimin që i lejoi sulmuesit amerikan Folarin Balogun të luajë ndaj Belgjikës po shtohen nga të gjitha anët. Pas reagimeve të UEFA-s dhe Federatës Belge, edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, e ka cilësuar vendimin si “absurd” dhe me prapavijë politike.

Në një intervistë për Rai Radio, Malagò tha se ishte befasuar nga përdorimi i nenit 27 të rregullores së FIFA-s, mbi bazën e të cilit u pezullua zbatimi i kartonit të kuq të Balogun. “Është një histori e çuditshme, më duket absurde. E lexova nenin 27 për të cilin po flitet dhe, për fat të mirë, ai nuk mund të zbatohet në kampionatet kombëtare, përndryshe do të ishte katastrofë”, deklaroi kreu i futbollit italian.

Malagò nuk i kurseu kritikat as për mënyrën se si u mor vendimi, duke lënë të kuptohet se ai ishte ndikuar nga politika. “Nuk ka nevojë të fshihemi pas fjalëve. Është një vendim që ka qartë ngjyrim politik”, u shpreh ai, në mes të raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishikimin e pezullimit të sulmuesit amerikan.

Sipas Malagòs, ky rast krijon një precedent tepër të rrezikshëm për të ardhmen e futbollit. “Shpresoj që ta kuptojnë se sa i rrezikshëm është ky precedent. Jam i lumtur që ky Botëror po zhvillohet me stadiume të mbushura dhe atmosferë të jashtëzakonshme, por vendime të tilla dëmtojnë meritokracinë, e cila është themeli i futbollit”, përfundoi presidenti i FIGC.

Advertisement