Politike
Kalaja akuza të forta: Brenda SPAK-ut ka prokurorë të korruptuar dhe të lidhur me krimin
Aulon Kalaja ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK, duke deklaruar se brenda tij ka prokurorë të korruptuar dhe të lidhur me elementë të krimit të organizuar.
Kalaja u shpreh se megjithëse ka mbështetur SPAK-un në raste të caktuara, ai ka kritikuar institucionin kur sipas tij nuk ka funksionuar si duhet.
“Unë e kam mbështetur SPAK-un dhe e kam goditur shumë fort momentin që nuk ka bërë punë të mira. Se aty ke prokurorë të korruptuar që janë brenda SPAK-ut edhe tani që po flasim aktualisht ke prokurorë që janë të lidhur edhe me krimin e organizuar brenda aty,” deklaroi Kalaja në A2 CNN.
Ai shtoi se këto deklarata, sipas tij, do të marrin përgjigje shumë shpejt përmes hetimeve dhe monitorimit që kryhet nga partnerët ndërkombëtarë.
“Janë deklarata të cilat do marrin përgjigje besoj shumë shpejt. Ne kemi disa hetime po edhe nga ndërkombëtarët që janë brenda SPAK-ut, sepse ata i kanë domethënë ata monitorojnë aty. Janë njerëz të cilët kanë praninë e vetë. Sidomos kur bëhet fjalë për çështje që vijnë nga DEA apo agjenci të tjera që kanë interesa të caktuara me shtete të caktuara. Ka dhe prokurorë shumë të mirë të cilët janë të kualifikuar, janë të ndershëm, janë të pakorruptueshëm dhe që unë i kam përshëndetur gjithmonë”, tha më tej Kalaja.