Connect with us

Pinknews

“Kam harruar kodin e kasafortës”/ I vodhi 8 mijë euro, merret e pandehur shoqja e Kejvina Kthjellës

Anela Osmani është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Mashtrimit”, pas kallëzimit të bërë nga Kejvina Kthjella lidhur me shumën prej 8 mijë eurosh. Çështja penale tashmë është dërguar në gjykatë.

Sipas të dhënave të bëra publike për dosjen, Kthjella i kishte dhënë shumën prej 8 mijë eurosh Osmanit për ta mbajtur në ruajtje, ndërsa më vonë, sipas kallëzimit, paratë nuk iu kthyen. Kthjella ka deklaruar se shumën e kishte kursyer nga të ardhurat e saj dhe ia kishte lënë shoqes përkohësisht, pasi do të largohej nga Tirana.

Rasti është denoncuar në Policinë e Tiranës në fillim të muajit maj 2026, ndërsa më 7 maj materiali hetimor i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Sipas dosjes, Osmani fillimisht i ka thënë Kthjellës se paratë i kishte vendosur në një kasafortë, por se nuk mund ta hapte pasi kishte harruar kodin. Pas këmbënguljes së Kthjellës, kasaforta është hapur, por, sipas pretendimeve të përfshira në kallëzim, paratë nuk janë gjetur aty.

Më pas, sipas dosjes, Osmani ka deklaruar se shumën e kishte depozituar në llogarinë e saj bankare, por llogaria ishte bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore dhe ajo nuk mund të kryente tërheqjen e parave.

Pas këtyre pretendimeve, Kthjella iu drejtua policisë duke depozituar kallëzim penal. Në maj, Osmani është paraqitur para Gjykatës së Tiranës, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ka vendosur marrjen e Osmanit të pandehur dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Sipas akuzës së ngritur, bëhet fjalë për veprën penale të “Mashtrimit”. Osmani gëzon prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësia e saj penale do të përcaktohet vetëm nga një vendim përfundimtar i gjykatës.

Advertisement