Connect with us

Kosova

Kamberi e Kurti flasin për zgjedhjet në Serbi

Ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e kanë njoftuar për ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit që do të mbahen në Serbi.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet dhe nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm” – ka shkruar Kamberi në Facebook.

Prandaj, sipas tij, është me rëndësi që në zgjedhjet e 17 dhjetorit të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe se “duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, deri më tani, nga radhët e shqiptarëve, është paraqitur vetëm një listë zgjedhore, Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, I cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë dhe që tani synon që ta marrë edhe një mandat.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti është akuzuar, sidomos nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Afrifi, se po krijon përçarje tek shqiptaret që jetojnë në Serbi. Por, mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës. Ai ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që të zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës. Ndaj akuzave të Arifit, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Advertisement