✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Kandidati për president në Austri u jep premtimin shqiptarëve: Nëse zgjidhem, armët e Skënderbeut do të kthehen në Krujë

Günther Fehlinger-Jahn, aktivist austriak dhe kandidat i vetëshpallur për zgjedhjet presidenciale të Austrisë në vitin 2028, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku premton se, nëse zgjidhet president, do të kërkojë kthimin në Krujë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut që ruhen në Austri.

Në videon e publikuar përpara objekteve në Vjenë, Fehlinger-Jahn shprehet se dëshiron t’i kthejë ato në Shqipëri për të nderuar figurën e Skënderbeut.

“Si president i Austrisë, zotohem të kthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar mbretin Skënderbe. Zotohem. O Zot, më ndihmo ta përmbush këtë zotim ndaj Skënderbeut, Austrisë dhe Shqipërisë”, shprehet ai.

Përkrenarja dhe shpata e atribuuara Skënderbeut ruhen në kompleksin Neue Burg në Vjenë, pjesë e koleksioneve të Muzeut të Historisë së Artit. Sipas të dhënave historike të publikuara për koleksionin, objektet lidhen me koleksionin e arkidukës Ferdinand II të Tirolit në shekullin XVI dhe u transferuan në Vjenë në vitin 1806, gjatë luftërave napoleonike.

Në nëntor 2012, përkrenarja dhe shpata u sollën përkohësisht në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar, përpara se të riktheheshin në Austri.

Premtimi i Fehlinger-Jahn është një deklaratë e tij në kuadër të kandidimit të vetëshpallur për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Mbetet për t’u parë nëse kandidatura e tij do të formalizohet dhe nëse ky zotim do të marrë ndonjë trajtim institucional.

Advertisement