Connect with us

Politike

Kë po paralajmëron? Braho: SPAK i pandikuar politikisht, nuk lëmë asnjë provë ‘në gjumë’

Kreu i SPAK Klodian Braho raportoi në Komisionin për Nismat Qytetare në Kuvend sot në 15 korrik.

Ai tha se SPAK ka nisur 46 hetime penale për zgjedhjet e fundit, për parregullsi të ndryshme.

“Në zgjedhje e fundit, SPAK ka nisur 46 procedime penale. Struktura e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për të hetuar krimet zgjedhore. Ne përpiqemi që të zbatojmë të gjitha rekomandimet, që na vijnë nga ndërkombëtarët. Cilësia në hetime vetëm është rritur, duke qenë profesional në ndjekjen e çështjeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore”, tha Braho.

Më tej, shtoi se BKH është duke u ristrukturuar, me qëllim që të ndiqen edhe krime që kanë të bëjnë me kriptovaluta, apo krime që kanë qenë jo të zakonshme për Shqipërinë.

“BKH po merr gjithmonë e më shumë rëndësi si strukturë. Po mbushim edhe vendet, që i kemi pasur vakante. Janë 40 vende të lira, që duhet të përmbushen. Edhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarët është i rëndësishëm për ne. Vazhdojmë të ndjekim çështje të shtetasve shqiptarë, që mund të shtrijnë kriminalitetin dhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi Braho.

Kreu i Strukturës së Posaçme deklaroi se SPAK kërkon që të përmbushë të gjitha rekomandimet.

Kreu i SPAK iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve

Deputeti demokrat Ivi Kaso ngriti disa pyetje për kryeprokurorin e SPAK, duke nisur nga krimi zgjedhor deri në faktin nëse Struktura e Posaçme ndikohet politikisht apo ka ndonjë standard të dyfishtë në hetime.

Braho deklaroi se pavarësisht se ka akuza për standard të dyfishtë në hetime nga SPAK, kjo nuk është e vërtetë.

“Pa prova ne nuk mund të ngremë akuza. Nuk ka standard të dyfishtë nga SPAK, ky është një perceptim. Ne nisemi nga provat dhe kushdo që të jetë përfshirë në krime, do mbajë përgjegjegjësi për atë që ka bërë. Nëse në një dosje ka provë dhe mos të shikohet, kjo nuk ndodh. Nuk merremi me deklarata politike të asnjë pale apo asnjë personi. Për SPAK, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Braho. Duke folur për çështjen Aruba, Braho deklaroi se është çështje në hetim.

Advertisement