Kosova
Kënaqësi të ndahet Kosova nga Serbia, flet Sergey Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se perëndimi nuk do të kënaqej me asgjë tjetër veçse ta ndante Kosovën nga Serbia.
Këto deklarime ai i bëri gjatë një interviste për dokumentarin me titull “25 vite nga sulmi ajror i NATO-s në Jugosllavi”.
Lavrov foli edhe rreth takimeve që u mbajtën në Francë (Rambuje) në muajt shkurt dhe mars të 1999-tës, dhe sipas tij, “të gjitha përpjekjet serbe për të arritur kompromise të drejta u refuzuan”.
“Ishte një poshtërim dhe një provokim i qëllimshëm që i shtynte serbët të hiqnin dorë nga gjithçka. Është e gjitha pjesë e të njëjtit zinxhir. Marrëveshjet e Minskut ndjekin të njëjtën logjikë nga këndvështrimi i interesave gjeopolitike perëndimore” – deklaroi Lavrov.
Kryediplomati rus, shtoi se qëllimi kryesor i vendeve perëndimore ishte të tërhiqnin vendet e Ballkanit në NATO, e më pas ato të anëtarësoheshin edhe në Bashkimin Evropian.
“Megjithatë, në NATO mund të anëtarësohen në çdo kohë, siç e pamë nga vendimi për të pranuar shtetet baltike, të cilat nuk plotësonin asnjë kriter, por u lejuan të anëtarësoheshin për arsye të përshtatshmërisë politike” – theksoi kryediplomati rus.
“Perëndimi u përpoq ta vendos Serbinë para një zgjedhje – ose t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë ose, në të kundërtën, do të përpiqet të bëjë grusht shteti atje” – Kështu deklaroi më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë
“Në vitet e fundit, Uashingtonit nuk i pëlqeu fakti që Ukraina është fqinji i Rusisë dhe se ajo kërkoi të ndërtonte marrëdhënie normale pune me fqinjin e saj. Ata filluan ta tërhiqnin atë në Bashkimin Europian me sloganin “ose me ne ose me Rusinë”.
Kjo ‘ose-ose’ nuk u zhduk pa gjurmë. Shikoni sot Serbinë. Tani edhe atje po thonë të njëjtën gjë. Bashkojuni sanksioneve kundër Rusisë, jepeni Kosovën, njihni pavarësinë e saj dhe pastaj do t’ju pranojmë në BE. Dhe nëse jo, ata do përpoqen të organizoojnë një grusht shteti” – tha Lavrov në një intervistë për Sputnik24.
Ministri i Jashtëm rus kujtoi gjithashtu se si reaguan BE dhe SHBA ndaj zgjedhjeve të fundit në Serbi.
“Ata akuzuan autoritetet serbe se gjatë zgjedhjeve lokale ka pasur dezinformata, se kanë korruptuar votuesit. Kështu thanë ata nga Uashingtoni kur filloi fushata për të eliminuar Trumpin nga zgjedhjet, thjesht sepse kjo ishte ajo që donte elita në pushtet, duke shkaktuar një valë pakënaqësie në SHBA” – tregoi Lavrov
Megjithatë, siç theksoi ai, kjo nuk do të thotë asgjë për administratën amerikane, atyre u lejohet gjithçka, do të bëjnë çfarë të duan dhe do t’u diktojnë të tjerëve atë që duan. Në të njëjtën kohë, theksoi Lavrov, shumë vende e kanë kuptuar këtë dhe gjithnjë e më shumë vende po i thonë Moskës “ne jemi me ju”.

