Politike
‘Kërkojmë integrimin dhe bllokojmë veten, kjo nuk ka më kuptim’
Për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, nuk ka më kuptim që gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat kërkojnë integrimin në Bashkimin Evropian, të vijojnë e të bllokojnë veten në këtë proces.
Ndaj, ai kërkon një bashkëpunim më të fortë rajonal, për të shtyrë përpara reformat dhe për të vijuar me hapa të shpejtë procesin e anëtarësimit në bashkësinë e madhe evropiane.
Kështu theksoi kreu i Qeverisë shqiptare, gjatë fjalës së tij në një panel, në kuadër të Samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Kotor të Malit të Zi.
“Të vish në gjirin legjendar të Kotorit është kënaqësi e madhe. Dua të shpreh entuziazmin mbi atë që po ndodh e dua të falënderon Varhelyi dhe komisionin që ka punuar ngushtë me në duke na ofruar një platformë dialogu të mirëfilltë, një proces ku si zakonisht kemi dëgjuar, por si pak herë edhe komisioni na ka dëgjuar. Është një shembull që tregon çfarë mund të arrihet kur të dy palët dëgjojnë njëri tjetrin”, e nisi fjalën e tij kryeministri.
Më tej, ai tha se progresi gjatë dy muajve e gjysmë flet vetë, duke shtuar se janë përgatitur plane individuale të reformave dhe janë identifikuar po ashtu nisma, të cilat do ta çojnë rajonin para në tregun rajonal.
Po ashtu, kryeministri shtoi se vendet duhet të punojnë mbi mundësitë e planit të rritjes, për të përgatitur veten për ta integruar në tregun e përbashkët.
“Rajoni ka ardhur koha të jetë pjesë e portofolit digjital evropian. Synojmë të jemi gati në 2027. Presim që komisioni të përfundojë udhërrëfyesin”, trajtoi Rama.
Më herët, kryeministri e ka vlerësuar si tejet pozitiv takimin e radhës mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet në Mal të Zi, ku ka kërkuar edhe fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
Duke e nisur me batuta për “motin jo të mirë me të cilin Mali i Zi e priti takimi”, Rama vuri theksin te Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, një nismë e re e vitalizuar nga BE-ja, që është edhe vëmendja kryesore e Samitit të liderëve rajonalë dhe atyre evropianë.
“Shtigje të reja për vendet e Ballkanit, për të bërë të mundur investimin në tregun e përbashkët dhe për të nxitur tregtinë. Shpresojmë që brenda këtij viti transfertat bankare të qytetarëve tanë nga vendet e BE të jenë më të lira se nuk do të kenë barrën e shpenzimeve”, theksoi Rama në një fjalë paraprake për mediat.
Ai më tej shtoi se takimi që po zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP-së.
Vetë Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në Samit janë të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.
Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić.