Connect with us

Shkrime

Këshilltari i Albinit nxit ithtarët- thirrje për eleminimin e Ramës

Nga Ylli Pata

Të hysh në logjikën, apo arsyen e mbështetësve të Albin Kurtit në lidhje me përplasjen e tij me Edi Ramën, jo thjeshtë është shumë e vështirë, por nuk arrit të gjesh një shteg për të të nxjerrë te logjika se përse e bën këtë gjë.

Mjafton të shikosh zhvillimet e freskëta të ditës së sotme për të parë, se ku jemi në një arsyetim politik ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Prishtinës.

Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shkup, kur u pyet në lidhje me atë që a do ta pranojë në zyrë Albin Kurti në Prishtinë, ju përgjigj me një metaforë nga trashëgimia kulturore shqiptare, përkatësisht duke cituar Kushtetutën e parë që është Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Rama tha tekstualisht: “Albini nuk e ka harruar akoma kanunin që kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar të nxjerrë deri kur ai të mbarojë fjalën”. Frazë e qartë, edhe për të mos hapur një polemikë me kreun e qeverisë së Kosovës, por edhe për të përdorur një simbolikë të përbashkët për një ndasi mes shqiptarësh.

Kanuni është i qartë në këtë pikë se kush troket në derë, qoftë udhëtar, qoftë edhe një person që në një rast mund të jetë edhe hasëm, në logjikën kanunore, pra një person me precedent penal, që dënimin e pret nga viktima, dera i hapet. Dhe der isa të përcillet ai është mik. Pasi në këtë rast, aksiona kanunore është e pakontestueshme: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”.

Metafora e Ramës është çarmatosëse për Kurtin në këtë rast. Pasi çdo mbyllje dere, do të ishte ai i turpëruari. Por nuk është e thënë që të jetë kështu në realitet. Menjëherë pas kësaj fraze, Elvis Hoxha, një person që quhet në mediat e Kosovës si këshilltar i Albinit, e vetes i thotë filozof, shkruan në faqen e tij në Facebook:

“Nga i tërë Kanuni Rama mban mend vetëm se hasmit i hapet dera kur vjen në shtëpi. Por nuk i kujtohet se nuk bën ta fyesh t’zotin e shpisë”. Një “filozofi” e çuditshme e Hoxhës, pasi mikpritja nuk negocohet në Kanun, që në këtë rast nuk është thjesht një libër mesjetar i Lekës, Skënderbeut, apo krahinave të ndryshme që kanë pasur venome që kanë ndryshuar mjaft por termin e mikpritjes e kanë pasur të njëjtë.

Por gjithsesi, reagimi i ithtarëve kolerikë të Vetëvendosjes është më shumë se shpërthyes: i vrerosur. Kërkojnë që Rama të rrihet paq, madje edhe të vritet përfundimisht.

E si “filozofi” i Albinit që reformon Kanunin sipas mides së Vetëvendosjes, edhe ithtarët e tij i vijnë anës. “Në kanun thuhet se në rast tradhëtie edhe mashkulli i shpies vritet”, thotë njëri, duke ja future kot natyrisht sepse kjo normë, nuk ka lidhje me mikpritjen.

Por një militant tjetër i Vetvendosjes, që në faqe ka vetëm foto me “hazretin Albin”, është më mëshirues. Ky komentues thotë që të mos e vrasin Edi Ramën, por vetëm t’i japin një dajak. “Për t’mos e parë vëllain e “Madh” para gjunjëve të armikut nesër, nuk është turp me i dhënë dajak sot!”, shkruan ai.

E refreni në këtë “komunikim të komanduar” është pak a shumë në këtë ritëm: pra ose ta rrahim keqas, ose ta vrasim “vllaun e Vuqiqit”. Por ka edhe ndonjë trajtim “analitik” që nëse e lexon të zë “makina”. Ja njëri përshembull: “Problematike per Ramen eshte se asesi te reflekton se shtati gjigant nuk te ben edhe burreshteti apo “burre trim“ ai injorancen ndaj cdokushit e shpreh ne mospeefillje, abuzim, ironi cinike dhe shume epitete tjera qe jane pikerisht arsye qe ka nevoje per trajtim serioz- ku ndoshta do mesonte te reflekton edhe me durim edhe me vetekritike e pse jo edhe te behet me diplomat e politikan i mire. E shoh se eshte bere me te vertete sinonim i nje grindaveci, nje lazdran qe asesi stregon vetekritik qe sduron askushin perveq se unin e tij …”.

Gjithsesi kjo është logjika e një loje militance, një propagandë dasie që ka synim për të fryrë e mbajtur me gajret kauzën e ngritur nga Albin Kurti. Por që të hysh në mendjen e tij e të kuptosh se përse e ka hapur këtë luftë me Tiranën, është një përpjekje më e madhe sesa të merresh me militantët e përronjve psiqikë.

Pasi nuk ka logjikë që arsyeton këtë dasi. Nëse Albin Kurti ka kundërshtime me Edi Ramën, apo vizione të ndryshme, kjo nuk është pak ide e re. Që kur është bërë Kryeministër, ne, dmth opinion publik e di se ata sa herë takohen apo shpëmbëjnë batuta, bëjnë lajm.

Edhe në konferencat e përbashkëta për shtyp, si Rama, si Kurti kanë qenë përgjithësisht me vizione e qëndrime të ndryshme. Por kjo nuk ka ndaluar e pse të ndalojë axhendën e një kohezioni përtej mendimeve e qëndrimeve, ndërmjet qeverive dhe shteteve përkatëse; pra Shqipërisë dhe Kosovës.

E vetmja arsye e mundshme që vjen ndërmend për këtë luftë të Albinit me mullinjtë e erës, është se Edi Ramën ai e shikon si “përbinshmi” i tmerrshëm që duhet vrarë, që ai  të jetë rehat e të jetojë me Dylqinjën e Tobosës që ai e dashuron shumë. Që në këtë rast nuk është një grua, pasi Kurti është lumturisht i martuar dhe familja e tij jeton në Norvegji, por Dylqinja është Kosova me katër komunat e veriut, që “Rama kërkon t’ja marrë”.

Natyrisht një kauzë në ajër siç e përshkruan metaforikisht mjeshtri i madh Servantes fiksimin e Don Kishotit. Që nuk se është fiksim realisht, por një “profeci e rremë”. E profetët e rremë i njohim që kur është krijuar njerëzimi. Në këtë rast, Kurti nuk ka ndonjë plan për të zgjidhur as çështjen e veriut e as bisedimet me serbinë. Pasi përndryshe ai mazhorancën e ka absolute, do të hartonte një plan apo të zbatonte planin që firmosi në Ohër, do të mblidhte opozitën e do të thoshte: e doni ju planin?

Ose çfarë propozoni? Nëse ata kundëAsocshtonin, e votonte, përndryshe vinte në Tiranë, ja paraqiste Edi Ramës dhe liderëve të tjerë shqiptarë në rajon nëse i donte qejfi, e niste punën e zbatimin. Kurti nuk e do këtë zbatim, pasi ai nuk e do këtë lloj Kosove të krijuar në 1999, e për këtë ka folur që atëherë. Do një Kosovë tjetët, por që asnjëherë nuk ka thënë se si duhet të jetë. Ka thënë thjesht që nuk pranon Planin Ahtisari, simbolet, demarkacionin, Asocacionin etj.

Po mirë çfarë kërkon Kurti? Këtë ndoshta do ta thotë më vonë, po njëherë pret të vrasin Edi Ramën apo dikë tjetër që si në 1914 të plasë një luftë në Ballkan. Vetëm që një gjë se ndryshon dot: se Ballkani, përveç Serbisë është i gjithi në NATO, e një luftë nuk plas kollaj. E si diket kërkon të plasë një luftë politike, që t’i shërbejë për të fituar sërish në një rast zgjedhjesh të parakohshme, ku tradhtarin e madh e ka gati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Ortakët në këtë betejë i ka gati sin ë 2021. Po nëse fiton prapë? Këtu të zë sërish makina, si në postimet e ithtarëve të tij në rrjetet sociale.

Shkrime

Belbëzimi jargavitës i Mesias Aleksandër Vuçiç

Nga Boshko Jakshiç

I pushtuar nga zemërimi se nuk është në gjendje të pengojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme të Serbisë dhe drejtimi i kthesës lë të kuptohet për një largim të ri nga bota demokratike.
Pse presidenti hyn me kaq zemër në beteja diplomatike që dihet paraprakisht se janë të humbura, siç është edhe rasti me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme për gjenocidin në Srebrenicë? Që ai të shpenzojë energji, është puna e tij, por përballja me botën që Serbia nominalisht aspiron është një zgjedhje e rrezikshme që kërcënon zhytjen edhe më thellë të Serbisë në izolim dhe kërcim drejt përqafimit me Nënën Rusi.
Unë mendoj se presidenti e di që zemërimi i shprehur publikisht është aleati më i keq në diplomaci, por ai nuk rri dot pa u marrë me armiqtë e këqij që ai si rregull i sheh në Perëndim. Egoja e tij e shfrenuar e shtyu atë të nxitonte drejt kryesueses të seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar diskutimit të punës gjashtëmujore të UNMIK-ut në Kosovë.
Vuçiç tha atje se nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake sipas së cilës ai dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kanë pasur nga tre minuta kohë për përgjigje. Maltezja Vanessa Fraser nuk e mbylli gojën me përulësi, gjë që pritej nga presidenti serb, i cili është mësuar që askush të mos guxojë të ndërpresë monologjet e tij të gjata në televizionin kombëtar në Serbi. Ajo ngriti zërin, përdori disa herë grushtin mbi tavolinë dhe e bëri të qartë se nuk do lejonte që zëvendësi i saj të paraqitej si gënjeshtar.

“Unë vetëm…” belbëzoi Vuçiç. “Faleminderit, zoti President, keni tre minuta kohë”, përfundoi Fraser episodin nga seanca ku Vuçiç “ka dhënë një mësim mbi dinjitetin njerëzor”, siç interpretohet nga besnikët e tij dhe ish “ish” Aleksandër Vulin gjithnjë e më i zëshëm, në pritje të riaktivizimit në qeveri me ndihmën e Moskës.
Vuçiçi, i cili thotë se nuk është profet, por vetëm dëgjon faktet, ka marrë një mësim të mirë.

Ne kemi qenë dëshmitarë të dy fiaskove diplomatike në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Votimi i parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kur Kosova hapi derën e anëtarësimit të plotë në organizatën më të rëndësishme evropiane për promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë. Vuçiç pret që të gjithë të tjerët të udhëhiqen nga emocionet që ai ka ndaj Rusisë. Nëse e duan Serbinë, do jenë me ne, edhe nëse kjo është kundër interesave të grekëve, maqedonasve të veriut apo malazezëve. Një verbëri e tillë kthehet shpejt në hakmarrje.

Debakli i dytë do të pasojë në maj në Kombet e Bashkuara, kur shumica e 193 anëtarëve pritet të mbështesin një rezolutë që shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995 në Srebrenicë, kur 8000 të paarmatosur, burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur e OKB-së.

Bota nuk e ka harruar Srebrenicën, por shumë në Serbi do ta fshinin gjenocidin nën qilim dhe do t’i thërrisnin liderit i cili, si pjesë e ekipit të Vojislav Sheshel, tërhoqi kufijtë rreth Kroacisë, kërcënoi se do të vriste njëqind boshnjakë për një serb të vrarë, pastaj u end mbi Sarajevë me një pistoletë 12.7 mm, teksa ishte ministër i Informacionit në kohën e Slobodan Milloshevicit dhe më vonë Bulevardin e Beogradit e emëroi me emrin e Ratko Mlladić.

Përsa i përket Vuçicit, rasti I Srebrenicës mund të jetë një “krim i tmerrshëm”, por jo gjenocid. Prandaj po shpalli luftë edhe në këtë front. Kundër çfarë? Kundër vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, organ i sistemit të OKB-së, i cili pa mëdyshje konfirmoi se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi?

Në Nju Jork, në një pritje për përfaqësuesit e misioneve të huaja në OKB, Vuçic u bëri thirrje anëtarëve që të mos votojnë për rezolutën për Srebrenicën.

Në Misionin e Serbisë në OKB është formuar një staf special që merret me rezolutën 24 orë në ditë. Ivica Daçic shpalli gjendjen e jashtëzakonshme diplomatike dhe ndaloi pushimet për punonjësit e ambasadave dhe konsullatave.

Kështu ishte edhe në fillim të prillit, kur u krijua një grup punues për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rezultati në Strasburg – zero. Kështu do të jetë edhe me rezolutën në Nju Jork. E pritshme, pasi gjithçka bazohet në premisa false.

Rezoluta nuk përmend askund Serbinë, Republikën Srpska apo popullin serb, por presidenti përsërit me këmbëngulje se qëllimi është të etiketojë serbët si komb gjenocidal, Republika Srpska si një krijim gjenocidal që duhet shfuqizuar dhe se Serbia duhet të paguajë reparacionet  e luftës. Ai gjithashtu thotë se rezoluta do të sjellë tensione të reja në rajon. Përhapje manipuluese e frikës. Teori konspirative që nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare e cila shprehimisht thotë se nuk ka gjë të tillë si faji kolektiv.

“Askush nuk po e demonizon Republikën Srpska dhe nuk po flet për përgjegjësinë kolektive të Republikës Srpska apo popullit serb” – thuhet qartë në deklaratën e përbashkët të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimi në Evropë në Bosnje Hercegovinë nga viti 2018.

Vuçic nuk është i gatshëm të pranojë që mohimi i gjenocidit i regjistruar në aktgjykimin e Gjykatës së Hagës dhe refuzimi i rezolutës së OKB-së e largojnë atë nga pajtimi dhe jo anasjelltas. Ai vazhdon të luftojë betejat që I promovoi vetë, por ka llogaritë e veta të hapura.

Ai do të paraqitet si një luftëtar i palëkundur dhe i patrembur për mbrojtjen e vendit por dhe duket si një gjemb nëpër këmbë për gjysmën e mirë të botës. Ai do të forcojë vlerësimin e tij midis atyre që i dëgjojnë fjalët e tij sikur të ishin thënë nga Papa i pagabueshëm i Romës. Ai do të bëjë gjithçka për të zgjeruar sundimin e tij.
Kushdo që mendon se Srebrenica, Kosova në Këshillin e Evropës apo marrëdhëniet e mira në rajon i interesojnë shumë, gabohet.

Emocionaliteti i tij i përzemërt është një funksion i pragmatizmit të ashpër. Vuçic e di se zemërimi hakmarrës nuk është kurrë një aleat i mirë në politikën e jashtme, por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se sa fitimprurës mund të jetë ky zemërim për marketingun e tij personal. Ai do të vazhdojë ta shtyjë Serbinë në izolim sepse do ta ketë më të lehtë të arrijë misionin e tij mesian në tokë.

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Nuk e kanë me Yllin, kanë hallin e babit të Zenit

Nga Desada Metaj

Ka mjaftuar një deklaratë e Ylli Rakipit dhe befas Foltorja dhe i gjithë sponsorizimi i tyre në media ka nisur një betejë ndaj këtij të fundit dhe TV ku ai punon duke përdorur gjithë artilerinë e mundshme. Që nga statuset në rrjete sociale e deri tek paralajmërimet për “nxjerrje të palarash” në programet televizive. Kjo skemë është qartas e frymëzuar nga shpikësi më i madh i përbaltjes së kundërshtarëve politikë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Quhet Sali Berisha, për momentin ndodhet në izolim, në katin e lartë të pallatit ku jeton, nën akuzat e Spak për korrupsion. Por sërish e ka fuqinë të sulmojë me mjetet e fuqizuara nga “regjimi i Ramës”, çdokënd që nuk sinkronizohet me betejat e tij për të shpëtuar veten dhe familjen nga ajo çka po i ndodh 2-3 vitet e fundit.

Gjithçka nisi kur Ylli Rakipi, në emisionin e tij deklaroi se ka parë dhe takuar gjatë një drekë Shkëlzen Berishën, Erion Veliajn dhe gazetarin Clirim Peka. Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë për sa kohë këtu janë takuar të gjithë me të gjithë, kanë bërë marrveshje te fshehta dhe publike dhe kjo ka ndodhur jo pak këto 30 vitet e fundit. Mundet të mos jetë e vërtetë për shkak se betejat për influencë dhe pazaret e vogla janë gjithmonë prezent në politikë dhe media. Por ajo që vlen pas gjithë tollovisë “kanë drekuar apo s’kanë drekuar” është në fakt shqetësimi i madh i Foltores dhe ngrehja e një beteje të re. Këtë herë jo me Veliajn për inceneratorët por me Ylli Rakipin dhe TV ku ai punon. Dhe morali i fabulës vijon të mbetet: kush nuk është me mua është tradhtar dhe pazarxhi. Ky lajtmotiv që ka shoqëruar këto 30 vjet politikën e Sali Berishës nuk mund të ndryshonte tani. Dhe kjo nuk lë jashtë as pasuesit e tij, që këto vitet e fundit për shkak të mungesës së koherencës dhe seriozitetit janë shndërruar dhe në personazhe qesharakë. Ama kjo nuk i ka penguar që çdo herë të gëlltisin atë që kanë vjellë për bashkëpunëtorë dhe ish bashkëpunëtorë, të shndërrohen në përgjues të rëndomtë apo të bëjnë marrveshje me regjimin (siç e konsiderojnë qeverisjen e Ramës). E gjjtha në funksion të dhënies së oksigjenit për ballkonin e katit të tetë tek rrugica e shpresës.

Kjo që po ndodh së fundmi, përveç anës qesharake të betejave pa thelb dhe revolucioneve veç me fillim e pa fund, tregon dhe njëherë sa seriozisht e ka Foltorja betejën me korrupsionin. Se sa të sinqertë kanë qenë kur kanë bërë denoncimet për inceneratorët dhe kur pa e fshehur janë bërë avokatët e Arben Ahmetajt për këtë aferë. Sa për rikujtesë, çështjen e korrupsionit për inceneratorët e ka denoncuar PD shumë vite më përpara. Puna më me vlerë që ka bërë një forcë opozitare në parlament ka qenë komisioni hetimor për inceneratorët. Një punë në grup që u finalizua me padinë e qepur më së miri në Spak dhe me një raport final. Këtë raport flamurtari i Foltores për inceneratorët, Belind Këlliçi dhe deputetët e tjerë nuk e firmosën kurrë.

Sa për median dhe gazetarët, Ylli Rakipi ka qenë nga të vetmit që ka bërë emisione e ka publikuar fakte më së miri. Ndaj sot, ai nuk ka nevojë për avokati. Njerëzit kanë sy e vesh, madje dhe mendje për të gjykuar pa u ndikuar nga Syri i Berishës. E sa për ti bërë qesharakë më shumë se ç’janë jam e sigurt se ai ja del më mirë se unë.

Shqiptarët jo më larg se një vit nuk do votojnë as për Ylli Rakipin dhe as Çlirim Pekën. Ata do zgjedhin mes qeverisë dhe alternativës së opozitës. Dhe kjo e fundit me copëzën që drejton nga ballkoni po u tregon qartas se korrupsioni ka emër dhe mbiemër, Sy dhe veshë. Madje ka dhe TV. Që megjithë sforcot për të shpallur armiq të brendshëm nuk do ja dalë kurrë të bindë shqiptarët që ka moral për të bërë opozitë siç duhet. Thjesht po u tregon se diferenca ndodhet mes disave të janë më shumë e disa të tjerë më pak të korruptuar. Sa për këtë, ja kanë dalë të na i tregojnë më së miri!

Continue Reading

Shkrime

Përse i duhet i “shkarkuar” Gabriel Escobari Albin Kurtit?

Nga Mero Baze

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari I Shtetit I SHBA, dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor, ka 24 orë që sulmohet nga portale të afërta me lëvizjen Vetëvendosja në Kosovë, si I “shkarkuar” nga Departamenti I Shtetit.

Siç shikohet nga përshkrimi I punës, Escobar, një nga tre detyrat e tij të rëndësishme ka dhe të qenit I dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor, detyrë që e ka përballuar atë me Albin Kurtin dhe problemin e dialogut Kosovë Serbi.

Entuziazmi që ka ngjallur tek Vetevendosja e Albin Kurtit lajm I rremë, ka të bëj me shpikjen e arsyeve pse Escobar nuk do të jetë më me këto detyra, por me një detyrë tjetër diplomatike në karrierën e vet, siç sqaron vet Departamenti I Shtetit.

Lajmi I rremë nuk ka të bëj thjesht me shpikjen e “shkarkimit” të Escobarit, por arsyet e shkarkimit, të cilat sipas portaleve të Vetëvendosjes janë fiks arsyet, përse Albin Kurti mund të shkarkoj ndonjë kryetar komune, apo zyrtarë shteti që nuk është në një vijë ideologjike me Vetëvendosjen.

Lajmet e rreme rreth gruas së tij dhe lidhjet me Serbinë, janë ilustrim I faktit, se si e thjeshtëzon një politikan populist politikën dhe diplomacinë si ushqim për “qentë e vet”. Ai dëshiron tu tregoj atyre përse Albin Kurti nuk po I bindet SHBA deri tani, se nuk “mund ti bindej” dikujt që ka lidhje me Serbinë.

Edhe më tutje entuziazmi I Vetëvendosjes në të vërtet tregon se si funksionon makineria propagandistike e Albin Kurtit, për të justifikuar dështimet e tij në raport me SHBA dhe se si mund të gjej arsye nga pala amerikane për këtë dështim.
Dhe kjo është shumë e rrezikshme.

Garbiel Escbar ka ndërruar detyrë, nuk ka ndërruar profesion dhe as institucion. Në vend të tij do të vij dikush tjetër që do të vazhdoj dialogun, ashtu siç ai ka zëvendësuar paraardhësin e vet, kur ky problem ishte ende i hapur dhe vazhdon të mbetet I tillë.
Procesin e dialogut me Serbinë nuk e ka shpikur Gabriel Escobar por Departamenti I Shtetit dhe ky institucion do të vazhdojë këtë rrugë.

Përpjekja për të ilustruar dështimet në raportet e Kosovës me Shtetin amerikan, përmes linçimeve talibaneske ndaj zyrtarëve të lart amerikanë të përfshirë në këtë proces, thjeshtë tregojnë me kë e ka problemin Albin Kurti dhe jo me kë e ka problemin Escobar.
Escobar nuk ka asnjë problem, thjesht ka një detyrë tjetër përpara.

Albin Kurti ka të njëjtën detyrë, me të njëjtin armik të Kosovës, Serbinë dhe me të njëjtin aleat të Kosovës, SHBA. Dhe nuk do pse shpreson më shumë të shpëtoj nga SHBA se sa nga Serbia.

Continue Reading

OPINION

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.

2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.

3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.

4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.

5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.

6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”

7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.

8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.

9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.

10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.

Continue Reading

Shkrime

Ballkan/ Zoti na ruajt nëse hapet PANDORA  

Ka sinjale alarmi për Ballkanin dhe dyshime se historia po përsëritet. Nuk është utopi, por një artikull i medias në gjuhën gjermane, Deutsche Welle, shkruan për një situatë tejet të ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun se një luftë e re mundet të shpërthejë.

Nga retorika e qartë luftëndjellëse e Milorad Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë, deri te lobimi serb për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, janë thirrje se duhet patur vigjilencë për një përshkallëzim të mundshëm në gjithë Ballkanin, mbi të gjitha, me një situatë tejet të ndërlikuar edhe në veri të Kosovës, ku ka një stanjacion politik momental, por gjithashtu dhe një gjuhë herë herë të rrezikshme drejt përshkallëzimit.

Po çfarë paralajmëron artikulli i Deutsche Welle dhe pse janë ndezur sinjale alarmi në Ballkan? A po përsëritet historia?

Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb. Simbolika është kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”.

Dodik më tej deklaroi se “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur” dhe si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë.

Përfaqësues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës pasi ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen.

Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina.

“Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.” – theksoi Dodik……….

Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen.

Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasi ata do të hapin kutinë e Pandorës.

“T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.” – deklaroi Brnabiç

Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING