Connect with us

Kosova

​KFOR-i katërfishon prezencën në veri, Ulutas: NATO e palëkundur për stabilitetin në rajon

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas thotë se kanë katërfishuar numrin e trupave në veri pas agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Në intervistën për KosovaPress, Ulutash e vlerëson të qetë situatën në veri të vendit, porse thekson se e njëjta vazhdon të jetë e brishtë.

Ai vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, derisa thotë se KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thotë ai në intervistën me shkrim për KosovaPress.

Intervista e plotë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas:

KP: Çfarë mund të na thoni për situatën në Kosovë pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit?

Ulutas: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por e brishtë. Ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka vendosur 1000 trupa shtesë dhe mjete më të rënda. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të matur për të siguruar që misioni i KFOR-it të ketë burimet e nevojshme.

Ne kemi një qëndrim të shkathët dhe fleksibil në të gjithë Kosovën që na lejon t’i përgjigjemi çdo skenari, duke respektuar plotësisht mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KP: A është i gatshëm KFOR-i t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi nga jashtë?

Ulutas: NATO ka dislokuar forca shtesë rezervë me kapacitete shtesë në Kosovë, pas tensioneve të fundit, në mënyrë që të përmbushë mandatin e saj të OKB-së dhe të pengojë çdo veprim të mëtejshëm. Fuqia e misionit tonë është aktualisht prej rreth 5,000 trupash, me kontribute nga 27 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Mandati i KFOR-it është i qartë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes.

KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët ne bashkëpunojmë ngushtë.

KP: Së fundmi krerët e shteteve kanë paralajmëruar se “Serbia po përgatitet për sulme të reja”. Të tilla paralajmërime ka bërë edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, për armatosjen e serbëve në Kosovë përmes manastireve. A ka raste të tjera? A keni një informacion të tillë? Si e shihni dislokimin e trupave shtesë të Serbisë pranë kufirit me Kosovën?

Ulutas: Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Fokusi ynë kryesor është në zbatimin e mandatit tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KP: A mund të na thoni më shumë për bashkëpunimin me FSK-në?

Ulutas: KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore, dhe vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë në Kosovë.

Jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e mbrojtjes serbe. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta.

Siç u tha qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, “çdo vendosje e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu theksoi se

“Ne presim konsultime në kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”. Unë mbështetem në të gjithë homologët e mi për të vazhduar bashkëpunimin tonë të rregullt për këto çështje të rëndësishme.

KP: NATO po shqyrton rritjen afatgjatë të kontingjentit paqeruajtës në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë, sa kohë do të zgjasë?

Ulutas: Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i fortë edhe sot.

Kjo u ripohua me zë të lartë dhe qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë udhëtimit të tij të fundit në muajin nëntor në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, dhe Maqedoninë e Veriut. Ai udhëtim ishte në fakt një tjetër demonstrim konkret i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin në rajon.

KFOR-i ka dëshmuar vazhdimisht se është në gjendje t’u përshtatet sfidave dhe ndryshimeve të ndryshme në mjedisin tonë operacional, falë një qëndrimi fleksibil, të shkathët dhe të dukshëm në mbarë Kosovën. Misioni ynë ka qenë gjithmonë i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga planet, që do të thotë se çdo ndryshim në aspektin e numrit të personelit ose qëndrimit të KFOR-it do të bazohet në një vlerësim të kushteve në terren i ndjekur nga një vendim nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s.

Kosova

Vuçiçit i ikën zëri, akuzon Berlinin për fushatë të ashpër për Kosovën në KiE

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se situata në lidhje me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) është e paqartë, por se Gjermania po bën një “fushatë brutale” për anëtarësimin me çdo kusht në këtë organizatë.

“Kosova do ketë nga 29 deri 33 vota pro saj, teksa 31 është shumica që u nevojitet, kështu që gjithçka ndodhet në teh të briskut” – deklaroi presidenti serb duke theksuar: Serbia do të vazhdojë të luftojë, por nuk mund të përballemi me Gjermaninë, Francën dhe të tjerët”.

“Ata po përdorin truke të ndryshme, kur është fjala për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe”- potencoi Vuçiç.

Ai gjithashtu ka deklaruar se shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë shumë domethënëse dhe të mëdha dhe se Serbia po bën të pamundurën për ta parandaluar.

Në fjalimin e tij për media, ai ka theksuar se Serbia ka përpara beteja politiko-diplomatike për Kosovën, duke kujtuar se më 16 maj pritet votimi në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në atë organizatë dhe vuri në dukje gjithashtu detyrimin e ri që i është vendosur Serbisë për në rrugën evropiane, në lidhje me kapitullin 35, duke shtuar se kapitulli i ndryshuar është mjaft i pafavorshëm.

Duke folur për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai theksoi se pa një fushatë gjithëpërfshirëse me të pavërteta dhe interpretimi fleksibël i detyrimeve të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë duke zbatuar teori të ndryshme për të ashtuquajturin faj të lidershipit serb, Kosova as nuk do mendohej do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë të mëdha, ne po bëjmë maksimumin që ta parandalojmë, sepse respektojmë rregullat evropiane, gjithçka që kemi rënë dakord me Evropën dhe me amerikanët.

Detyrimi i parë ishte formimi i Unionit të komunave serbe, pastaj pas disa vizitave të çuditshme në Athinë, ndryshohen marrëveshjet dhe kushtet, nuk përmendet më parandalimi i shpronësimit të pronave serbe dhe ngritja e paligjshme e bazave policore në veri, dhe kryesoreja, askush nuk e përmend më asociacionin” – shpjegoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

SURPRIZA e Knaus për asociacionin, vjen me një draft propozim

Shtetet kyçe të BE-së po kërkojnë progres të prekshëm nga Kosova përsa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të përkrahjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lidhur me këtë çështje, në mënyrë aktive është marrë Gerald Knaus nga “ESI”,  Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Në një diskutim në “X”, Knaus ka thënë se Drafti i propozuar në majin e vitit 2023 nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga Danijela Vujicic, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, bazuar në gjykimin e vitit 2015, prandaj sipas tij, dërgimi i këtij drafti në Kushtetuese do të ishte humbje kohe. Sipas tij, ajo çfarë duhet urgjentisht, është që propozimet të vijnë nga komunat me shumicë serbe.

“Ata e kanë të drejtën kushtetuese për një gjë të tillë”, ka shkruar Knaus më 30 prill duke sqaruar se vetëm paskësaj secili propozim mund të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse ajo ndoshta mund ti hedh poshtë si të papranueshëme.

Knaus gjithashtu ka thënë se bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk sjell përfitime për minoritetet.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me nënkryetarët e tri komunave veriore, me të cilët ka diskutuar për nevojat rreth shërbimeve komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave me shumicë serbe.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më pare, presidenti serb theksoi  se është interesant që Iniciativa Evropiane për Stabilitet e udhëhequr nga Gerald Knaus, tani po shërben për të krijuar një perde tymi rreth së vërtetës se çfarë po ndodh dhe pse Prishtina nuk mund të formojë asociacionin.

“Knaus thotë se komunat serbe nuk ekzistojnë. Por ne fakt ato ekzistojnë. Ka edhe në jug të Ibrit sepse nuk ka serb vetëm në veri. Kështu janë ata që e kanë pranuar rezultatin zgjedhor në very me pjesëmarrje prej tre për qind. Sipas tyre ky është kulmi i demokracisë. Më mire të thonë atë që mendojnë, se nuk e lënë Kosovën të formojë asociacionin, se Kosova duhet të shpërblehet, kurse serbët duhet të dënohen” – potencoi Vuçiç.

“Fuqitë e mëdha po luftojnë kundër nesh, ne do të vazhdojmë të luftojmë, pavarësisht se gjërat janë në buzë të greminës, sepse për tu pranuar në KiE duhet një shumicë prej 31 votash pro nga shtetet, dhe për momentin Kosova ka diku mes 29 dhe 33 votash” – deklaroi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

DUART NE FYT, Bakoyannis e cilëson akt trimërie propozimin për korrigjimin e kufijve

Dora Bakoyannis, deputetja greke që hartoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në një artikull autorial, konsideroi se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mund të cilësohet si “akt trimërie” që u ndërmorr nga liderët e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë.

Duke përsëritur se rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk adreson çështjen e shtetësisë së Kosovës, ish-kryediplomatja greke përmendi kohën kur liderët e Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç – propozuan të negocionin mbi një parim të ri, ku të dyja palët do t’i rishikonin kufijtë shtetëror përgjatë vijave etnike.

“Pavarësisht se negocimi rreth kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve – për çka e kundërshtoj – unë e kam konsideruar këtë akt trimërie nga Vuçiçi dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është kritik në politikë. Dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve të imagjinatës kombëtare” – ka shkruar raportuesja greke

Sidoqoftë, ajo deklaroi se asnjë anëtari nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë parakushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, tha Bakoyannis teksa dhe kujtoi sulmet ndaj saj që erdhën nga zyrtarët serbë pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, teksa dhe shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës, gjithmonë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja finale është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet dikur në mes të muajit maj në Strasburg të Francës.

Continue Reading

Kosova

Associated Press për postin e ri të Vulinit, lidhja e fortë me Rusinë

“Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e shërbimit inteligjent, i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe që është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”- kështu shkruan Associated Press, duke komentuar përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, e cila u bë e ditur nga Millosh Vuçeviç.

Aleksandër Vulin do të jetë njëri nga disa nënkryeministrat, ka thënë Millosh Vuçeviç gjatë shpalljes së përbërjes së kabinetit të tij të ardhshëm, i cili pritet të votohet në Kuvendin e Serbisë në ditët në vijim.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për luftën në Ukrainë, kujton AP.

Përfshirja e Vulin në qeverinë e re tregon për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur pro-BE nga Serbia.

Në korrik të vitit të kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj Vulin, duke e akuzuar atë për përfshirje në dërgesat e paligjshme të armëve, trafik droge dhe shpërdorim detyre.

Shtetet e Bashkuara, Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se Vulin përdori autoritetin e tij publik për të ndihmuar një tregtar serb të armëve nën sanksionet e SHBA-së që të lëvizte dërgesat e paligjshme të armëve përtej kufijve të Serbisë.

Vulin akuzohet gjithashtu për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës, sipas autoriteteve amerikane. Ai dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të agjencisë serbe të inteligjencës BIA pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij teka më parë ka qenë shef i ushtrisë dhe policisë.

Formimi i qeverisë në Serbi vjen disa muaj pas zgjedhjeve të tensionuara parlamentare në dhjetor, në të cilat partia e djathtë populiste në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi shumicën e vendeve në asamblenë prej 250 anëtarësh.

 

 

 

 

 

Votimet e manipuluara nxitën tensione politike për shkak të parregullsive të pretenduara por edhe të raportuara nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Kosova

Paradoks apo hile prej dhelpre lëvizja e Vuçiçit, tregon Dushan Janjiç

Mandatari për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçevic, ka propozuar për zëvendës të tij Aleksandër Vulinin, pavarësisht faktit se ky fundit është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për pozita të rëndësishme gjithashtu janë propozuar Ivica Daçic dhe Marko Gjuric. I pari do të udhëheq me ministrinë e brendshme ndërsa Marko Gjuric do te jetë në krye diplomacisë serbe si ministër i jashtëm.

Publicisti nga Beogradi, Dushan Janjic, tha se këto emërime ishin të pritshme dhe sipas tij kjo nuk përbën aspak befasi për opinion publik në Serbi.

“Nuk ka asgjë të re, janë njerëzit e njëjtë farë në qeverinë e re. Gjithçka është paradoksale me këtë qeveri, ata kërkojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian por jo edhe anëtar të NATO-s. Ata synojnë të bëhen pjesë e bllokut evropian por nuk përafrojnë politikën e jashtme me shtetet perëndimore, duke refuzuar ti vënë sanksione Rusisë. Ne duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian por i pranojmë edhe paratë nga Kina” – theksoi Janjiç, I cili e lidh emërimin e Vulinit si zëvendëskryeministër me zgjedhjet në Amerikë.

“Vulin u emërua në këtë pozitë sepse Vuçic mendon se Donald Trump do t’i fitojë zgjedhjet në Amerikë dhe me këtë lëvizje ai dëshiron të dërgojë një mesazh” – potencoi Janjiç

Në anën tjetër gazetari, Nikola Krstiç, u shpreh se pavarësisht kush emërohet në këto pozita, Aleksandër Vuçiç do të ketë kontroll të plotë mbi ta.

“Vuçic i ka mbledhur të gjithë në një vend, pra të majtë, të djathtë dhe ata të qendrës janë bërë të gjithë bashkë. Këto çështje nuk i interesojnë Vuçiçit derisa ai vazhdon të ketë fuqi të madhe” – tregoi gazetari serb duke shtuar se ai e sheh Aleksandër Vulinin si një përbindësh politik dhe se sipas tij ai  përfaqëson një pjesë të errët të historisë së Serbisë.

“Ai është një si një përbindësh politik në shoqërinë tone, përfaqëson politikën e errët të Serbisë dhe gjithashtu është shumë i lidhur me Rusinë. Seriozisht nuk e di çfarë orientimi do ta ketë kjo qeveri në të ardhmen” – deklaroi Krstiç

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING