Connect with us

Bota

Kina dëbon dhe shpall ‘Non Grata’ kryediplomaten kanadeze

Kina dëboi konsullen e Kanadasë në Shangai, pasi Otava dërgoi në shtëpi një diplomate kineze, të akuzuar për përpjekje për të frikësuar një deputet kanadez. Të hënën, Kanadaja e shpalli diplomaten kineze, Zhao Wei, “person të padëshirueshëm” dhe e urdhëroi të largohej nga vendi. Në përgjigje, Kina urdhëroi të martën largimin e Jennifer Lynn Lalondes, diplomate kanadeze në Konsullatën e saj në Shangai.

“Kina rezervon të drejtën edhe për reagime të tjera”, tha përmes një deklarate Pekini zyrtar. Të dyja diplomatet kanë pesë ditë kohë për t’u larguar nga vendet përkatëse. Dëbimet paraqesin një përkeqësim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis Otavës dhe Pekinit, pas raporteve për ndërhyrjen e dyshuar politike të Kinës në Kanada. Kanadaja ka thënë se Kina ka vënë në shënjestër ligjvënësin e saj opozitar, Michael Chong, dhe të afërmit e tij në Hong Kong, pasi Chong ka akuzuar Pekinin për shkelje të të drejtave të njeriut.

Sipas një raporti të inteligjencës kanadeze, i cili ka dalë në gazetën “Globe and Mail”, Zhao është përfshirë në mbledhjen e informacioneve për Chongun, pas kritikave të tij të zëshme ndaj trajtimit që i bën Pekini pakicës së tij ujgure. Sipas raportit, agjencia e spiunazhit e Kanadasë beson se Kina ka kërkuar detaje për të afërmit e Chongut në Hong Kong, në përpjekje për t’i penguar “pozicionet anti-kineze”. Të enjten e kaluar, Kanadaja ka thirrur në bisedë ambasadorin e Kinës, për ta informuar se nuk do të tolerojë ndërhyrje në punët e saj.

Bota

E trishtë/ Sëmundja e rëndë i merr jetën ish-ambasadorit gjerman, Peter Zingraf

Një lajm i trishtë ka ardhur ditën e sotme.

Ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, ka ndërruar jetë  20 maj për shkak të një sëmundje të rëndë.

Zingraf ka shërbyer ambasador në vendin tonë nga 2019 deri në 2023.

Lajmin për vdekjen e Zingraf, e dha Ambasada Gjermane në vendin tonë.

Postimi:

Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen e kolegut tonë të vyer Peter Zingraf.

Peter Zingraf, Ambasadori gjerman në Tiranë nga viti 2019 deri në vitin 2023, ka ndërruar jetë më 20 maj 2024 pas një sëmundjeje të shkurtër por të rëndë.

Humbja e tij e papritur na ka tronditur të gjithëve. Peter Zingraf do të mbahet mend si një person miqësor, me humor dhe gjithmonë i afrueshëm dhe si një koleg dhe mik i madh.

Ftojmë të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan të ndajnë ngushëllimet dhe kujtimet e tyre në hapësirën tonë virtuale përkujtimore:  https://peterzingraf.muchloved.com

Continue Reading

Bota

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, Biden dhe Trump në garë për votat e grave

Votueset amerikane përbëjnë mbi gjysmën e elektoratit në Shtete të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns u hedh një vështrim strategjive të kandidatëve presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump për të fituar përkrahjen e tyre në zgjedhjet e nëntorit.

Në këtë fushatë zgjedhore, vëmendja e madhe që po iu kushtohet votueseve amerikane është përqëndruar në ligjet e abortit dhe të drejtat riprodhuese

Por mbi supet e votueseve amerikane rëndojnë edhe një mori çështjesh tjera përtej abortit dhe shtabet zgjedhore tani po përpiqen të fitojnë përkrahjen e tyre edhe përmes çështjeve ekonomike, shëndetësisë dhe luftimit të kriminalitetit.

Në Minesotë, votuesja Rebecca Jensen thotë se Presidentit Joe Biden duhet t’i njihet meritat për ato që ajo i quan vendime të drejta.

“Çështjet e ambientit janë shumë të rëndësishme. Ekonomia dhe shëndetësia janë të rëndësishme. Unë jam punonjëse e shëndetësisë dhe ende ballafaqohem me COVID-in. Njerëzit thonë se tani jemi në periudhën pas pandemisë, por në të vërtetë nuk jemi. Jemi ende në mes të pandemisë. Është me rëndësi që në Shtëpinë e Bardhë të kemi një njeri që beson te shkenca”, thotë votuesja Jensen.

Në Nevadë, votuesja Julie Benb dëshiron një mandat të dytë për zotin Donald Trump.

“Ai ishte i mirë për çështjet ekonomike. Nuk kishte luftë. Kishte harmoni. Kishte paqe. Të gjithë ishim të punësuar. Çmimi i benzinës ishte normal. Ai është një njeri i mrekullueshëm, që e do vendin e tij. Është njeri i mirë. Ai rriti një familje të mirë dhe ne do ta rizgjedhim atë”, thotë votuesja Benb.

Përmes një nisme të Shtëpisë së Bardhë që do të përqëndrohet në hulumtimin e çështjeve shëndetësore me të cilat ballafaqohen gratë, Presidenti Biden po synon të fitojë përkrahjen e grave.

“Me gjithë përparimet që janë bërë në mjekësi, në të gjitha aspektet, shëndeti i grave nuk ishte pjesë e tyre. Hulumtimet nuk përfshinë gratë”, tha zoti Biden.

Shtabi i fushatës së zotit Biden transmetoi një reklamë në rrjetet sociale për Ditën e Nënës duke sulmuar politikat e zotit Trump për t’i ndarë familjet e imigrantëve, me slloganin, “Bëjuni një nder nënave tuaja. Ndaleni Trumpin.”

Në një takim me gratë e krishtera konservatore, zoti Trump u zotua se do të sillte paqen në Evropë.

“Para se të hyj në Zyrën Ovale, pak pasi të jem zgjedhur president, do të gjej zgjidhje për luftën e tmerrshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës,” deklaroi ai.

Zoti Trump po ashtu po përpiqet të fitojë përkrahjen e votueseve amerikane me mesazhe për luftë kundër kriminalitetit dhe migracionit.

“Besoj se kam përkrahjen e fuqishme të grave në zonat periferike sepse ato duan siguri. Atyre po ua plaçiskin stolitë, po ua grabisin çantat, paratë që kanë në to, pajisjet elektronike, orët e dorës. Dhe njerëzit pyesin se çfarë po ndodh? Nëse nuk dëshironi që imigrantët e jashtëligjshëm kriminelë të hyjnë fshehurazi nga dritaret dhe t’ua bastisin sirtarët, atëherë duhet të votoni që ta heqim sa më parë kriminelin Joe Biden dhe dëmin që ai mund të shkaktojë”, sipas zotit Trump.

Qendra për Gruan Amerikane dhe Politikat thotë se numri i grave që kanë votuar në zgjedhjet presidenciale që nga viti 1980 ka tejkaluar numrin e burrave.

Në garën e vitit 2020, sipas të dhënave të Institutit Pew, zoti Biden ka fituar 11 për qind më shumë vota të grave se zoti Trump./VOA

Continue Reading

Bota

Greqi, kapen 250 kg kokainë në portin e Pireut, destinacion ishte Durrësi, në pranga dy shqiptarë, emrat

Prokuroria greke ka goditur një rrjet droge në Portin e Pireut, duke lokalizuar një konteiner me karkaleca deti në të cilin kishte 250 kg kokainë.

Brenda kontejnerit që kishte ardhur nga Amerika Latine ishin karkalecat e ngrira dhe droga.

Destinacioni përfundimtar i kontejnerit ishte Shqipëria ku do të bëhej shpërndarja.

Deri më tani është arrestuar një shqiptar i cili ishte në arrati që nga viti 2017.

Lajmi në përditësim…

Është zbuluar identiteti i 2 shqiptarëve të arrestuar gjatë operacionit të policisë greke pas sekuestrimit të 320 kg kokainë në portin e Pireut në Greqi që kishte destinacion Shqipërisë. Mediat bëjnë me dije se ata janë Andrea Mërkuri, 54-vjeç, Marsel Stafaj, 36-vjeç dhe greku Ioannis Biglakis 64 vjeç.

Shqiptari Andrea Mërkuri, rezulton i shpallur nga policia greke që prej 2017, si financues dhe organizator i një laboratori të drogave sintetike Captagon, te njohura ndryshe edhe si ‘tableta xhihadiste’, ku u sekuestruan 634 mije e 246 tableta.

Mërkuri përdor dhe identitetet Jasona Mërkuri dhe Azdren Muharremi. Rezulton se ka përdorur më para pasaportë serbe. Mërkuri është biznesmen që zotëron dyqan me veshje në Shqipëri dhe autobus turistik në Greqi.

Shtetasi grek Ioannis Biglakis rezulton i arrestuar në vitin 2012 në Kosta Rika për transport armësh. Ai u ekstradua në SHBA kur kërkohej për bashkëpunim me organizatën kriminale FARK të Kolumbisë. Ai do të shkëmbente armët me kokainë.

 

Continue Reading

Bota

“Na duhet një qasje e koordinuar”/ Kryeministrja e Estonisë: Rusia po kryen një “luftë në hije” kundër Perëndimit

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas tha se Perëndimi ka nevojë për një “qasje të koordinuar” kundër kërcënimeve të Moskës, mes rasteve në rritje të sabotimeve të supozuara, luftës elektronike dhe spiunazhit.

Estonia, e cila kufizohet me Rusinë, ka parë një rritje të sabotazhit, luftës elektronike dhe spiunazhit, të gjitha të provokuara nga Moska sipas saj.

Ndërsa lufta në Ukrainë duket sikur po kthehet në favor të Rusisë, mbrojtja po forcohet në vendet e vijës së parë të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe në Finlandë dhe Poloni.

Duke u larguar nga stërvitja e NATO-s më 16 maj, Kallas tha se Rusia po kryen një “luftë në hije” kundër Perëndimit.

 

 

Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda kërkoi vigjilencë, duke thënë të martën se ai kishte informacion se “aktet e sabotimit mund të ndodhin përsëri”.

“Raportet për qëllimin e Rusisë për të rishikuar në mënyrë të njëanshme kufijtë detarë në Detin Baltik janë një provokim që synon përshkallëzimin”, shkroi ajo në X.

Continue Reading

Bota

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia po e njohin Palestinën, reagon ashpër Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se planet e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë për të njohur një shtet palestinez janë një shpërblim për terrorizmin.

“Tetëdhjetë për qind e palestinezëve në Bregun Perëndimor mbështesin masakrën e tmerrshme të 7 tetorit”, tha lideri izraelit, duke iu referuar rezultatit të një sondazhi të opinionit publik të publikuar menjëherë pas sulmit të ekstremistëve palestinezë nga Gaza të udhëhequr nga Hamasi

“Kësaj të keqeje nuk duhet t’i jepet tokë. Do të përpiqet të përsërisë masakrën e 7 tetorit dhe ne nuk do të pajtohemi me këtë”, shtoi lideri izraelit, duke iu referuar sulmit në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe më shumë se 250 u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës, ku rreth 130 janë ende pengje./TEL/

Continue Reading
Advertisement

TRENDING