Connect with us

Politike

 ‘Kisha’ e Edi Ramës po shembet/ Ata që krijuan imazhin e tij, tani po i kthehen keqazi kundër

Publicisti Gjergj Zefi analizon në një opinion të tij atë që e konsideron si një paradoks të politikës së jashtme dhe profilit politik të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Zefit, Rama ka tentuar të ndërtojë njëkohësisht marrëdhënie me kampet më të ndryshme politike ndërkombëtare: me socialistët europianë, por edhe me figura të së djathtës si Viktor Orban, Giorgia Meloni dhe familja Trump.

Zefi argumenton se ky pozicionim i ka shërbyer Ramës për vite me radhë, duke e paraqitur atë si një lider modern dhe europianist. Por, sipas tij, projekti i investimit në Sazan, i lidhur me Jared Kushnerin dhe Ivanka Trumpin, ka ndryshuar perceptimin e një pjese të së majtës ndërkombëtare ndaj kryeministrit shqiptar.

Autori shkruan se Rama është përpjekur të jetë “socialist me Pedro Sánchez-in, model me Orbanin, humanist në konferenca dhe administrator kampesh emigrantësh në Shqipëri”, duke iu përshtatur çdo partneri politik.

Sipas Zefit, problemi nuk qëndron te marrëdhëniet e Shqipërisë me këta liderë, por te fakti që Rama, në përpjekje për t’u afruar me të gjithë, rrezikon të humbasë identitetin e tij politik.

“Kur përpiqesh të jesh i të gjithëve, përfundon pa qenë i askujt”, shkruan Zefi.

Në analizën e tij, autori argumenton se rreziku politik për Ramën mund të mos vijë nga kundërshtarët tradicionalë, por nga ata që për vite me radhë e kanë mbështetur dhe promovuar si figurë progresiste në arenën ndërkombëtare.

Zefi e mbyll me një paralajmërim politik për kryeministrin:

“Edi Rama deshi të bëhej më katolik se Papa në çdo kishë ku hyri. Harroi se kishat politike kanë doktrinat, interesat dhe armiqtë e tyre.”

Sipas autorit, nëse kjo mbështetje ndërkombëtare fillon të tërhiqet, imazhi i Ramës si reformator europian mund të zëvendësohet me atë të një pushtetari që ka qeverisur prej vitesh mes akuzave dhe polemikave.

Advertisement