Connect with us

Aktualitet

Kolegjet e Bashkuara mbi masat e sigurisë, a po përgatitet lirimi i Veliajt?

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur sot për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur për masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.
Tre janë pikat kryesore mbi të cilat pritet të rishikohet vendimi i vitit 2011 për rastin Ilir Kumbaro, i cili ka shërbyer si orientim për gjyqtarët.
Gjykata e Lartë ka marrë shkas nga qëndrimet e Strasburgut për rastin e Thoma Gëllçit, ku u theksua se nuk mjafton vetëm dyshimi për të justifikuar arrestin, sidomos kur hetimet vijojnë pa afat, si edhe nga dy raste të tjera dhe ndryshimet ligjore.
Sipas njoftimit, qëllimi ishte të sigurohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.
Nga ana tjetër kjo iniciativë shënon ushtrimin për herë të parë, të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.
Opozita ka ngritur shqetësimin se pas nismës për të zhbërë praktikën 15-vjeçare po përgatitet lirimi i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.

Advertisement