Connect with us

Aktualitet

Kontrata e armëve/ Elbit Systems vjen në Shqipëri, kompania izraelite hap degë në Tiranë

Elbit System, një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve në botë, me bazë në Izrael, ka hapur degë në Shqipëri. Tre ditë më parë, kompania regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit degën e saj në Shqipëri, e cila do të kryejë të njëjtin aktivitet si mëma e saj në Izrael.
Elbit është një nga prodhuesit më të madh të armëve në botë. Ardhja e saj në Shqipëri lidhet me një kontratë të madhe sekrete që Shqipëria ka nënshkruar me këtë kompani për blerjen e armëve.
Në korrik të vitit të kaluar, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Dokumenti i firmosur nga ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Pirro Vengu dhe homologu i tij izraelit u miratua në Këshillin e Ministrave.
Për shumë muaj firma e Vengut u konsiderua thjesht një marrëveshje normale midis dy qeverive për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Por në fund të vitit të kaluar u zbulua se se ajo nuk ishte thjesht një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh me kompaninë private, Elbit Systems.
Në nëntor të vitit të kaluar, një nga gazetat më të mëdha izraelite, Haaretz, zbuloi se Elbit System ka siguruar një kontratë multi milionë dollarëshe nga qeveria shqiptare për të furnizuar Shqipërinë me armatim të rëndë, përfshirë murtaja dhe dronë. Paralelisht, kompania izraelite do të hapë dhe shkollën e aviacionit në Vlorë.
Shuma e kontratës mbahet sekret, por disa burime nga ministria e Mbrojtjes thonë se bëhet fjalë për një marrëveshje e cila mund të shkojë deri në 400 milionë dollarë.

Advertisement