Politike
Korreshi sfidon Ramën: Studentët dhe pedagogët po shkruajnë historinë
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, e ka cilësuar protestën e studentëve dhe pedagogëve si një nga rezistencat më të admirueshme të 36 viteve të demokracisë në Shqipëri. Në një prononcim për News24 nga protesta para Kryeministrisë, ai vlerësoi qëndrueshmërinë e të rinjve dhe theksoi se përfshirja e pedagogëve i ka dhënë më shumë peshë kauzës së tyre.
Sipas Korreshit, pjesëmarrja e pedagogëve tregon se shqetësimet për arsimin nuk kufizohen vetëm te studentët, por prekin edhe vetë elitën akademike, e cila i njeh nga afër problematikat e sistemit. Ai e konsideroi bojkotimin e mësimit nga pedagogët një sinjal se situata ka arritur në një pikë kritike.
Deputeti demokrat iu referua edhe ndalimeve të protestuesve, duke deklaruar se gjatë ditës kishte qenë në zonën e “Mine Pezës”, ku, sipas tij, ndodheshin rreth 118 persona të ndaluar. Korreshi tha se të rinjtë kishin treguar moral dhe vendosmëri, ndërsa e lidhi pjesëmarrjen e pedagogëve me kundërshtimin ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për studentët.
“Është një nga rezistencat më të admirueshme që kanë ndodhur gjatë këtyre 36 viteve të demokracisë. Është një nga më të bukurat. […] Sot dhe dje, prezenca e pedagogëve ia ka shtuar bukurinë kësaj rezistence dhe ia ka rrëzuar kauzën shokut Rama, kur thotë se janë kokëbosh”, u shpreh Korreshi.