Kosova
Kosova drejt zgjedhjeve të reja? Kriza për presidentin thellohet pas rebelimit të 6 deputetëve të LDK-së
Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është vënë në pikëpyetje, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut.
Sejdiu ishte propozuar si kandidat i përbashkët nga Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku më 31 gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional në Kosovë. Por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së e ka bërë të pasigurt sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj deputetëve që kundërshtuan marrëveshjen. Sipas tij, refuzimi i kandidaturës së Sejdiut rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Nga ana tjetër, Albin Kurti nuk e konsideron të prishur marrëveshjen me LDK-në. Kreu i Vetëvendosjes ka deklaruar se marrëveshja politike mbetet në fuqi dhe se synon të zhvillojë një tjetër takim me Abdixhikun për të diskutuar situatën e krijuar.
Problemi kryesor mbetet kuorumi dhe numri i votave. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në Kuvend, ndërsa pa mbështetjen e plotë të LDK-së, Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj u vështirësohet sigurimi i numrave të nevojshëm.
Në këtë situatë, përballë Kurtit janë dy rrugë: të vijojë negociatat për të siguruar votat për Bekim Sejdiun, të ndryshojë kandidaturën, ose të lejojë që kriza politike të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Analistët e konsiderojnë Kosovën aktualisht më pranë një skenari të ri zgjedhor sesa një zgjidhjeje të shpejtë për presidentin. Megjithatë, vendimi final mbetet i lidhur me negociatat e ardhshme mes forcave politike dhe nëse do të gjendet një kompromis që garanton numrat në Kuvend.
Kështu, marrëveshja që vetëm pak ditë më parë dukej se mund t’i jepte fund ngërçit politik, tashmë është përballur me pengesën e parë serioze: gjashtë deputetë të LDK-së që refuzojnë ta votojnë kandidatin e dakordësuar nga dy partitë.