Connect with us

Kosova

Kosova e ndihmoi Ukrainën, por ju ia kthyet me shuplakë/ Kritika të forta ndaj Zelenskyt

Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës ka shkaktuar reagime të forta në Ukrainë dhe Kosovë.

Politikani ukrainas, veterani i luftës dhe bashkëthemeluesi i lëvizjes “Sëpata Demokratike”, Yuriy Hudymenko, e cilësoi qëndrimin e Zelenskyt si “turpërues”, duke rikujtuar ndihmën dhe solidaritetin që Kosova i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus.

Hudymenko akuzoi udhëheqjen ukrainase se, për hir të afrimit me Beogradin, ka shpërfillur mbështetjen e Kosovës. Ai tha se Kosova, edhe pse një shtet i vogël dhe pa ushtri, ka ofruar ndihmë për ukrainasit, veteranët, ekipet e shpëtimit dhe refugjatët.

Politikani ukrainas iu drejtua edhe qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se qëndrimi i Zelenskyt nuk duhet të shihet domosdoshmërisht si qëndrim i gjithë popullit ukrainas.

Reagim pati edhe në Prishtinë. Kryetari i Komunës, Përparim Rama, urdhëroi heqjen nga hapësirat publike të banderolës “Free Ukraine”, duke e cilësuar këtë si reagim ndaj qëndrimit të Ukrainës për Kosovën.

Rama tha se solidariteti i qytetarëve të Kosovës me popullin ukrainas mbetet i pandryshuar, por shtoi se partnerët ndërkombëtarë duhet të respektojnë shtetësinë dhe dinjitetin e Kosovës.

Përplasja diplomatike u rikthye pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd, ku ai konfirmoi se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj për Kosovën dhe vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.

Advertisement