Kosova
Kosova nënshkruan aplikimin për në BE
KOSOVË– Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, tash e pesë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara. Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi nuk po mbahet. Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e njëjtë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Prishtina nënshkroi aplikimin për anëtarësim në BE.
Pas kësaj pritet të ketë konferencë për media.
Lajmi do të përditësohet…
Nënshkruhet aplikimi i Kosovës për anëtarësimin në BE, Kurti: E ardhmja jonë është BE! Do ecim përpara në meritën tonë
Ditën e sotme është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Kryeministri Kurti u shpreh se e ardhmja e Kosovës është Bashkimi Evropian. Kreu i qeverisë u shpreh se Kosova do bëjë ç’është e mundur për progresin dhe përkushtimin e reformave të reja transformuese që përkojnë me BE.
“Bazuar në aspiratat e vullnetit të vendit tonë për barazi, drejtësi e demokraci… E ardhmja e vendit tonë është brenda BE. Sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, BE. Do ja dorëzojmë presidencës Çekë në prag nënshkrimin e sotshëm. Progresi do varet nga përkushtimi ynë për reforma të reja transformuese.
Do ecim përpara në meritën tonë. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me progres shoqëror dhe rend demokratik.”- tha Kurti.
Tensionet në veri të Kosovës, Lajçak dhe Escobar sot në Beograd pritet të takojnë Vuçiç
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojnë sot në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Preferoj rrugë diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, tha Lajçak.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiç, ka vizituar vonë në mbrëmje Detashmentin e Xhandarmërisë në Kralevë, duke nxitur kështu dyshime për një lëvizje të mundshme drejt Kosovës.
Kraleva është qytet jo shumë larg pikës kufitare, Jarinjë, në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas njoftimit të MPB-së serbe, Gashic “me këtë vizitë është bindur për gatishmërinë luftarake dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të kësaj njësie”, transmeton Demokracia.com.
“Ministri vuri në dukje se të gjitha kapacitetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë vendosur në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake dhe se pjesëtarët e Xhandarmërisë janë të gatshëm të përmbushin çdo detyrë që u vihet nga udhëheqja e Republikës së Serbisë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Po ashtu në këtë njoftim, thuhet se gjatë kësaj vizite, Gashic në një bashkëbisedim me pjesëtarët e këtij Detashmenti theksoi përkushtimin e tyre për mbrojtjen e Republikës së Serbisë dhe të gjithë qytetarëve të saj.