Aktualitet
Kredi studentore për 500 të rinj, shteti mbulon interesin: Ja sa do të paguajnë
Kreditë studentore janë hapur për aplikim, me një skemë që synon të mbështesë deri në 500 studentë për përballimin e tarifave të studimit dhe shpenzimeve të jetesës. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se programi i Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë parashikon që norma e interesit të mbuluar nga Buxheti i Shtetit të lehtësojë kostot e financimit për studentët, të cilëve u mbetet një interes prej vetëm 0.5%.
Kredia mund të përdoret për pagesën e tarifës universitare, por edhe për shpenzime të tjera, si qiraja, ushqimi dhe transporti. Sipas ministres, skema synon të ndihmojë veçanërisht studentët që largohen nga qytetet e tyre për të studiuar në Tiranë, ku kostot e jetesës janë më të larta.
“Një nga elementet kryesore të saj është mbulimi i normës së interesit nga Buxheti i Shtetit, dhe studentit i mbetet një normë interesi prej vetëm 0.5%. Kredia mund të përdoret qoftë për të mbuluar tarifën e studimit, ashtu edhe për kostot e jetesës”, deklaroi Kumbaro.
Gjatë të njëjtës dalje publike, ministrja njoftoi edhe hapjen e thirrjes për financimin e doktoraturave për vitin 2026. Sipas saj, buxheti i këtij programi ka kaluar në mbi 600 mijë euro, nga rreth 100 mijë euro që ishte një vit më parë.
Kumbaro bëri të ditur se mbështetja financiare për doktorantët është rritur gjithashtu. Granti për kategorinë e parë, që vitin e kaluar ishte rreth 5 mijë euro për student, është dyfishuar dhe arrin deri në 10 mijë euro. Për kategorinë e dytë, financimi mund të shkojë deri në 30 mijë euro.
Thirrja e këtij viti vendos theksin te inovacioni dhe fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, me synimin për të mbështetur kërkimin shkencor dhe zhvillimin e projekteve në këto fusha.
Ministrja njoftoi gjithashtu se drafti i parë për rishikimin e ligjit për arsimin e lartë pritet të jetë gati në fund të tetorit. Ndryshimet e propozuara synojnë të përafrojnë programet universitare me nevojat e tregut të punës.