Connect with us

Bota

Kreu i OBSH-së ngre alarmin: Evropa po nxehet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se Evropa po përballet me një rritje shqetësuese të temperaturave, me ritme dukshëm më të larta se mesatarja globale.

Përmes një postimi në platformën X, kreu i OBSH-së theksoi se ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin dhe përkeqësimin e valëve të të nxehtit, duke rritur rreziqet për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Të dhënat janë të qarta: temperaturat në të gjithë Evropën po rriten afërsisht dyfishin e mesatares globale, duke rritur gjasat dhe ashpërsinë e valëve ekstreme të nxehtësisë në të ardhmen”, shkroi Tedros.

Ai u shpreh gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë më vonesa në përballjen me krizën klimatike dhe bëri thirrje për masa të menjëhershme për uljen e emetimeve dhe forcimin e mbrojtjes së popullsisë nga fenomenet ekstreme të motit.

“Nuk ka më kohë për vonesa”, theksoi kreu i OBSH-së, duke kërkuar veprime më të shpejta dhe më vendimtare për mbrojtjen e klimës dhe shëndetit publik.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur shumë vende evropiane po përballen me temperatura rekord dhe valë të zgjatura të të nxehtit, të cilat sipas ekspertëve lidhen drejtpërdrejt me ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Advertisement