✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Krim pasioni? Burri vret gruan dhe mikun e tij, shkaku dyshohet divorci?

Dy persona, një burrë dhe një grua rreth 30 vjeç, kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan të Kosovës. Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Ngjarja është regjistruar këtë të premte, më 9 tetor, rreth orës 14:25. Sipas Policisë së Kosovës, burri është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti, ndërsa gruaja është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku ka mbërritur pa shenja jete.

Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se të dy viktimat janë qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person. I plagosuri mori ndihmën e parë në Spitalin e Gjilanit dhe më pas u transferua në QKUK për trajtim të specializuar.

Policia konfirmon se i dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitë përkatëse të policisë dhe dy prokurorë të Shtetit. Autoritetet po hetojnë rrethanat e krimit, lidhjen mes të dyshuarit dhe viktimave, si dhe motivin e mundshëm.

Në raportimet paraprake është ngritur dyshimi se ngjarja mund të ketë lidhje me një kërkesë për divorc nga ana e gruas. Megjithatë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, deri në këtë fazë të hetimeve, motivi nuk është përcaktuar.

“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale.

Advertisement