Connect with us

Rajon

Krizë politike në Greqi/ Mitsotakis “merr shuplakë”, rikthehen parti të vjetra

Në Greqi po forcohet ndjesia se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa skena politike po hyn në një fazë të re përplasjesh dhe riorganizimesh.

Mesazhet e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis nga Selaniku gjatë fundjavës janë interpretuar nga mediat greke si sinjal i qartë për një proces të afërt zgjedhor, me skenarët që flasin për zgjedhje në shtator ose tetor të këtij viti.

Edhe zgjedhjet e rregullta të vitit 2027 konsiderohen të vështira për t’u mbajtur në kohën normale, pasi Greqia do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe qeveria synon të shmangë një proces elektoral gjatë asaj periudhe.

Në të njëjtën kohë, skena politike po fragmentohet gjithnjë e më shumë. Rikthimi i ish-kryeministrit Alexis Tsipras me një lëvizje të re politike, si edhe krijimi i një partie nga Maria Karystianou, figurë e lidhur me tragjedinë e Tempit, po ndryshojnë ekuilibrat tradicionalë.

Megjithëse partia konservatore në pushtet kryeson sondazhet me rreth 22.5 për qind, brenda kampit qeveritar po shtohen tensionet dhe nuk përjashtohet as mundësia e një force të re nga ish-kryeministri Antonis Samaras.

Nga ana tjetër, opozita nuk ka arritur ende të krijojë një alternativë bindëse. Socialistët e PASOK-ut mbeten të dobët në sondazhe, ndërsa partitë më të vogla anti-sistem po përfitojnë nga pakënaqësia e qytetarëve.

Në jetën e përditshme të grekëve dominon kriza ekonomike. Rritja e çmimeve, qiratë, energjia dhe karburantet vazhdojnë të rëndojnë familjet. Sipas Eurostat, inflacioni në Greqi ka arritur në 5.4 për qind, ndërsa mbi një e katërta e popullsisë ndodhet në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Ndërkohë, çështje të hapura si skandali i përgjimeve, tragjedia e Tempit dhe debatet për sigurinë publike po mbajnë të ndezur tensionin politik në vend.

Në mediat greke po dominojnë paralajmërimet për një periudhë të ashpër polarizimi, ndërsa një pjesë e madhe e shoqërisë kërkon ndryshim, por ende pa një alternativë të qartë politike.

Advertisement