Politike
Kryebashkiakja e Dimalit kundër shkrirjes: Kemi identitet, ekonomi dhe të ardhme si bashki më vete
Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Beratin dhe Poliçanin në një njësi të vetme vendore.
Në reagimin e saj, Memaj argumenton se Dimali ka ekonomi lokale, identitet historik dhe kapacitete financiare që, sipas saj, justifikojnë vijimin e funksionimit si bashki më vete.
Ajo thekson se zona ka një histori të hershme që daton prej shekujsh, duke përmendur qytetërimin antik të Dimalit dhe potencialin ekonomik të territorit, veçanërisht në bujqësi dhe tregti.
Sipas kryebashkiakes, reforma territoriale e vitit 2015 dhe ndryshimi i emrit në Bashkinë Dimal kanë qenë procese të mbështetura nga komuniteti, me synimin për të krijuar një identitet dhe përfaqësim më të fortë të zonës.
Memaj kundërshton analizën që ka çuar në propozimin për shkrirjen e bashkisë, duke deklaruar se nuk i është vënë në dispozicion dokumentacioni i plotë mbi kriteret e përdorura nga ekspertët.
Ajo argumenton se Dimalit i duhet ruajtur autonomia, duke iu referuar investimeve, menaxhimit financiar dhe të ardhurave të krijuara gjatë viteve. Sipas saj, bashkia ka treguar rezultate në investime dhe zhvillim ekonomik, ndaj nuk ka arsye të përfshihet në një njësi tjetër administrative.
“Kjo bashki ka ekonomi lokale, histori dhe identitet. Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, është qëndrimi i shprehur nga kryebashkiakja Memaj.
Debati për reformën e re territoriale ka shkaktuar reagime edhe nga drejtues të tjerë vendorë, ndërsa disa bashki që parashikohet të shkrihen kanë nisur të kundërshtojnë publikisht ndryshimet e propozuara.