Connect with us

Kosova

Kryeministri Albin Kurti mirëpret rezolutën për integrimin e Kosovës në NATO

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas rezolutës së tre kongresistëve amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, të cilët kanë shprehur mbështetje për integrimin e Kosovës në NATO.
Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ka thënë se janë mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për prosperitetin tonë, sigurinë e vendit tonë dhe të gjithë rajonit”, ka shkruar Kurti.
Tre kongresistë amerikanë, miq të Kosovës, të enjten kanë prezantuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shprehur mbështetje për integrimin e vendit në NATO.
Kjo rezolutë afirmon se vendi i vogël ka ndërtuar tashmë një bazë solide për integrim në Aleancën Ushtarake të Atlantikut të Veriut, duke përmendur qeverisjen demokratike, mbikëqyrjen civile të forcave të sigurisë dhe bashkëjetesën multietnike.

Gjithashtu, rezoluta e kongresistëve bëri thirrje që Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre kundër Kosovës, duke theksuar se njohja e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO.

Advertisement