Connect with us

Sport

KTHESË E FORTË E ARMAND DUKËS, FSHF TËRHEQ ZYRTARISHT MBËSHTETJEN PËR INFANTINON

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndryshuar qëndrim ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke revokuar letrën e mbështetjes për kandidaturën e tij për një mandat të ri. Vendimi vjen mes përplasjes së fortë ndërmjet UEFA-s dhe drejtuesve të FIFA-s për mënyrën e qeverisjes së futbollit botëror.

Një kthesë e fortë është regjistruar në marrëdhëniet ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

FSHF njoftoi zyrtarisht se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, përmes së cilës revokon mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e Infantinos për një mandat të ri katërvjeçar në krye të organizatës botërore të futbollit.

Letra mban firmën e presidentit të FSHF-së dhe njëkohësisht zëvendëspresidentit të UEFA-s, Armand Duka.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës së krijuar gjatë javëve të fundit.

FSHF thekson se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të një qeverisjeje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës.

NGA MBËSHTETJA TEK PËRPLASJA

Ndryshimi i qëndrimit është i rëndësishëm, pasi vetëm pak muaj më parë Duka e kishte vlerësuar publikisht drejtimin e FIFA-s nga Infantino, duke folur për zhvillim, profesionalizëm dhe mbështetje të shtuar ndaj federatave kombëtare.

Por marrëdhëniet ndryshuan pas debatit të fortë të shkaktuar nga plani i FIFA-s për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë të strukturës që do të administronte të drejtat tregtare të Kupës së Botës dhe aktiviteteve të tjera.

Projekti parashikonte shitjen e një pjesëmarrjeje prej 20 për qind, në një marrëveshje që mund të siguronte rreth 4.2 miliardë dollarë. Plani shkaktoi kundërshtime të forta nga UEFA dhe federata të tjera, duke e detyruar FIFA-n të tërhiqej.

Megjithëse Infantino kërkoi ndjesë për mënyrën se si ishte menaxhuar procesi, federata të ndryshme europiane nisën të tërhiqnin mbështetjen për rikandidimin e tij.

DUKA ISHTE PARALAJMËRUES

Më 1 gusht, Armand Duka kishte përshëndetur tërheqjen e FIFA-s nga projekti, por njëkohësisht kishte ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe mënyrën e qeverisjes së institucionit.

Ai shprehu publikisht mbështetjen e plotë për qëndrimin e UEFA-s, duke deklaruar se federatat europiane duhet të qëndronin të bashkuara për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.

Tashmë qëndrimi është konkretizuar edhe institucionalisht: FSHF nuk e mbështet më Gianni Infantinon për mandatin e ardhshëm presidencial.

Vendimi nuk përbën një “shpallje lufte” në kuptimin zyrtar, por është një goditje e qartë politike ndaj Infantinos dhe një rreshtim i plotë i Armand Dukës dhe FSHF-së në krah të UEFA-s, në një nga përplasjet më të forta të viteve të fundit për kontrollin dhe qeverisjen e futbollit botëror.

 

Advertisement