Connect with us

Aktualitet

Kthesë e papritur/ SPAK liron llogaritë bankare të sheikëve nga Katari

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të heqë masën e bllokimit për llogaritë bankare të kompanisë së lidhur me investimin në zonën e Zvërnecit, vetëm pak kohë pasi ato u sekuestruan në kuadër të një hetimi mbi dyshimet për tjetërsim pronash.
Sipas burimeve të cituara nga media, janë zhbllokuar llogaritë e kompanive të lidhura me biznesmenët nga Katari, vëllezërit Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat, të cilët janë të angazhuar në projektin turistik të planifikuar në këtë zonë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se vendimi për lirimin e llogarive është marrë për të shmangur pasoja të mundshme ligjore dhe përballje në arbitrazh ndërkombëtar. Megjithatë, SPAK nuk ka ndërprerë hetimet dhe vijon verifikimet lidhur me pronësinë e tokave në zonën e Zvërnecit.
Më herët, kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se hetimet për çështjet e pronësisë duhet të vazhdojnë, por pa penguar investimet e huaja strategjike në vend.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK kishte vendosur sekuestro edhe mbi llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”. Gjithashtu, një nga administratorët e saj, Redi Struga, është kontrolluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si pjesë e veprimeve procedurale.
Hetimi lidhet me dyshimet për një skemë të mundshme të kalimit të pronave shtetërore në pronësi private. Në fokus të verifikimeve ndodhet edhe Artur Shehu, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe përmendet nga burime hetimore si një nga personat që dyshohet se ka pasur rol në procesin e pretenduar të tjetërsimit të pronave.
Advertisement