Connect with us

Aktualitet

‘Kujdes në fundjavë’/ IGJEO jep alarmin: Rrezik për zjarre në 8 qarqe

Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar rrezik të lartë zjarresh në tetë qarqe të vendit gjatë kësaj fundjave, si pasojë e temperaturave të larta që pritet të arrijnë deri në 39°C.

Sipas Buletinit të Rreziqeve, zonat me nivelin më të lartë të rrezikut janë qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë rreziku vlerësohet më i ulët, megjithëse në disa zona të veçanta parashikohet nivel i lartë.

Vatër aktive zjarri vijon të jetë në disa fshatra të Mallakastrës, ku flakët kanë përfshirë rreth 180 hektarë sipërfaqe në zonat Riban, Ngraçan dhe Panahor. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar forca zjarrfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete ajrore. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, ndërhyrjet vazhdojnë edhe në masivin pyjor të Priskës dhe Çakalleshit në Dajt, si dhe në disa vatra në qarkun e Elbasanit dhe në fshatin Kostren 2 të Beratit. Autoritetet bëjnë me dije se shumica e vatrave janë nën kontroll ose të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Në nivel kombëtar, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse, 502 forca operacionale, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Advertisement