Connect with us

Kronike

Kultivonte kanabis bashkë me djalin e tij, Prokuroria e Kukësit njoftim zyrtar për 70-vjeçarin

Një person është arrestuar në Has me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, nën dyshimet për kultivim të bimëve narkotike dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Rr.U., 70 vjeç, i dyshuar për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga Kodi Penal.

Arrestimi erdhi pas kontrolleve të kryera në fshatin Vlahen, në Bashkinë Has, ku u zbuluan tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara cannabis sativa. Në total, autoritetet konstatuan dhe sekuestruan 1,874 bimë narkotike.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi 73 fishekë model 56, kalibër 7.62 mm, tre krehëra automatiku bosh, si dhe dy fitila zjarrëpërcjellës.

Prokuroria dhe Policia bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Advertisement