Connect with us

Sport

Kupa e Botës/ “Gjelat” zbusin ‘Luanët e Atlasit’, Franca mposht Marokun dhe shkon në gjysmëfinale

Franca mposht pastër 2-0 Marokun dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. “Gjelat” zhbllokuan ndeshjen në minutën e 60. Mbape realizoi me një goditje të bukur nga hyrja e zonës, duke kaluar Francën në avantazh.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Osman Dembele dyfishoi shifrat. Sulmuesi francez lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në cepin e portës, aty ku Bono nuk mundi të ndërhynte.

Pjesa e parë të takimit në stadiumin “Gillette Stadium” në Massachusetts un mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, pavarësisht rasteve të shumta të krijuara nga përfaqësuesja franceze.

“Blutë” e nisën sfidën me ritëm të lartë dhe krijuan rastin e parë që në minutën e 4-t, kur Dayot Upamecano provoi me kokë, por portieri Bono reagoi me sukses.

Në minutën e 25-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Kylian Mbappe u pengua në zonë nga Noussair Mazraoui. Gjyqtari akordoi penallti, vendim që u konfirmua edhe pas rishikimit me sistemin VAR.

Vetë Mbappe mori përsipër ekzekutimin, por goditja e tij ishte e dobët dhe Bono e priti pa vështirësi, duke mbajtur të paprekur portën e Marokut.

Franca vazhdoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 35-të iu afrua sërish golit me Desire Doue, por Bono u shfaq edhe një herë vendimtar me një pritje të shkëlqyer. Në kohën shtesë të pjesës së parë, Lucas Digne tentoi të surprizonte nga distanca, por topi u përplas në traversë.

Në gjysmëfinale, Franca do të ndeshet me fituesin e çiftit Spanjë-Belgjikë.

Advertisement