Kupa e Shqipërisë/ Përcaktohen tetë ekipet çerekfinaliste, zbuloni si ndahen vazot për shortin
Janë mbyllur ndeshjet e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe tetë skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni.
Egnatia, Partizani, Tirana, Erzeni, Laçi, Kukësi, Teuta e Vllaznia janë tetë ekipet që do të vazhdojnë garën për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Të gjitha ndeshjet u luajtën ditën e sotme. Kryesuesit e “Abissnet Superiore” Egnatia triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Lushnjes. Rrogozhinasit shënuan nga një gol për çdo pjesë duke kaluar në çerekfinale.
Partizani mundi 3-1 Apoloninë në një sfidë aspak të lehtë për të kuqtë. Fierakët morën të parët avantazhin por më pas Partizani ktheu rezultatin dhe shënoi tre gola.
Tirana nuk e vendosi asak në dyshim kualifikimin pasi fitoi me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Korabit. Bardheblutë në pjesën e parë realizuan dy gola dhe në fraksionin e dytë shënuan edhe golin e tretë për të vulosur kualifikimin në raundin tjetër.
Në duelin mes dy skuadrave të “Abissnet Superiore” Laçi – Dinamo City, avancoi në çerekfinale skuadra e Laçit, pasi fitoi me rezultatin minimal 1-0. Goli i vetëm i takimit u realizua në fraksionin e dytë.
Ndeshja Kukësi – AFElbasani ishte e luftuar deri në minutat e fundit aty ku kuksianët siguruan biletën për në çerekfinale. Kukësi fitoi 1-0 dhe goli i kualifikimit u realizua në minutën e 90-të.
Në çerekfinale kaloi edhe skuadra e Erzenit. Shijakasit triumfuan 2-1 ndaj Bylisit, në një sfidë që nisi mjaft mirë për Erzenin, pasi shënuan dy gola në pjesën e parë. Por në fraksionin e dytë në minutën e 75-të skuadra e Bylisit shkurtoi rezultatin dhe rihapi takimin.Megjithatë në fund festuan shijakasit.
Në orën 17:00 u luajtën edhe dy ndeshjet e tjera të fazës së 1/8-ave.
Vllaznia nuk e vendosi aspak në diskutim kualifikimin, pasi triumfoi 4-0 ndaj Flamurtarit. Shkodranët realizuan tre gola që në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe golin e katërt për të vulosur fitoren spektakolare
Në sfidën tjetër, Teuta siguroi një biletë për në çerekfinale pasi mundi Skënderbeun 2-0. Durrsakët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe golat i realizuan në fraksionin e dytë.
Për përcaktimin e çifteve çerekfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet tetë ekipeve të kualifikuara në këtë tur.
Partizani, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia janë të pozicionuara në vazon e parë ndërsa Laçi, Teuta, Kukësi dhe Erzeni ndodhen në vazon e dytë.
Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me dy takime dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë.
Në ditët në vazhdim do të bëhet e ditur se kur do të hidhet shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
I përfshirë në baste sportive, Federata Angleze e Futbollit pezullon Sandro Tonalin
Federata Angleze e Futbollit ka pezullar për dy muaj mesfushorin e Newcastle, Sandro Tonali. Shkak për këtë vendim është bërë përfshirja e italianit në baste sportive, të cilat nuk lejohen për futbollistët profesionistë.
“Mesfushori i Newcastle, Sandro Tonali, është pezulluar për dy muaj nga futbolli konkurrues nga një Komision Rregullator i pavarur pasi vetëdeklaroi shkelje të Rregullave të basteve të FA”.
“Ai gjithashtu është gjobitur me 20,000 paundë dhe është paralajmëruar nga FA për sjelljen e tij në të ardhmen”.
“Periudha e ndalimit është pezulluar plotësisht për kohëzgjatjen e sezonit 2024-25, që do të thotë se ai do të jetë në dispozicion për t’u rikthyer në futbollin konkurrues pas përfundimit të një sanksioni ekzistues dhjetë mujor të vendosur nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) më 27 tetor 2023”.
Bie sistemi për biletat Euro 2024, tifozët ‘shpërthejnë’ në rrjet
Teksa vetëm disa javë ndajnë nga fillimi i Europianit, kanë filluar të shfaqen problemet e para me sistemin e biletave dhe organizimin. UEFA njoftoi se do të ketë një sasi biletash shtesë, me tifozët që iu desh të nxitojnë për të siguruar një të tillë, teksa u vu re edhe çmimi “i kripur” i tyre. Por nuk mbaroi me kaq, pasi bllokimi i shpeshtë i sistemit ka sjellë pakënaqësi te tifozët.
Biletat shtesë që janë në dispozicion do të përfshijnë biletat e ofruara për rishitje përmes platformës zyrtare të rishitjes në mars/prill, bileta të vëna në dispozicion pas finalizimit të konfigurimeve të stadiumeve dhe një numër të konsiderueshëm biletash me pamje të kufizuar me çmime më të ulëta.
Shitjet e minutës së fundit do të zhvillohen në bazë të prioritetit të aplikimit, derisa të shiten të gjitha biletat, dhe ky është shansi i fundit për tifozët që të blejnë bileta për të ndjekur ndeshjet e Euro 2024 në stadium. Numri i biletave të disponueshme do të ndryshojë nga ndeshja në ndeshje. Në total, do të nxirren në shitje më shumë se 100,000 bileta.
Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë
Dortmund fitoi 1-0 kundër PSG-së në gjysmëfinalen e parë mes tyre në Champions League. Francezët vijojnë mos fitojnë në ‘Iduna Park’, me Dortmund që e ka kthyer shtëpinë në një ‘fortesë’.
Ndeshja nisi mirë për Dortmund, me tifozët që ishin fantastikë dhe dhuruan shfaqje me koreografitë e tyre. Pas 15 minutave që vendasit ishin më kërkues, PSG tentoi të kontrollonte lojën dhe e bëri disi, por pa rrezikshmëri.
Duhej minuta e 36-të që ndeshja të zhbllokohej. Një pasim fantastik i Schlotterbeck u kontrollua mirë nga Fullkrug, që me të majtën nga brenda zonës përshëndeti rrjetën e 16 sezonale, pa i dhënë mundësi reagimi Donnarummas. PSG e mbylli pjesën e parë pa goditur portën vendase.
Fraksioni i dytë nisi ndryshe për të besuarit e Luis Enrique që rrezikuan me Mbappe, Vitinha dhe Dembele, por shënjestra nuk ishte e duhura. Megjithë përpjekjet, skuadrat nuk prodhuan gol të dytë.
Kështu, skuadra që merr biletën e parë për në finalen e Londrës do mësohet të martën që vjen në “Parkun e Princave” në Paris, aty ky PSG dhe Dortmund do zhvillojnë aktin e dytë, me gjermanët më të avantazhuar.
Dortmund dhe PSG “përplasen” në gjysmëfinalen e Champions, titullarët
Dortmund-PSG premton spektakël në orën 21.00. Pak më parë janë publikuar edhe formacionet, për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League që do të mbahet në Gjermani.Verdhezinjtë e nisin me Kobel në portë, përpara tij janë të vendosur Ryerson, Hummels, Schlotterbeck dhe Maatsen. Mesfusha përbëhet nga Sabitzer dhe Can. Në majë të sulmit është Fullkrug, i cili do ketë ndihmën e Sancho dhe Adeyemi nga krahët, ndërsa Brandt qëndron pas shpinës.
Në krahun tjetër, francezët i besojnë portën Donnarummas, përpara tij janë Hakimi, Mendes, Marquinhos dhe Hernandez. Mesfusha me Emery, Vitinha dhe Ruiz është mjaft e pasur. Sulmi duket i frikshëm, me Mbappe në majën e ofensivës, ndërsa nga krahët janë Dembele dhe Barcola.
Spektakel me gola dhe penallti, Bayerni dhe Reali ndahen në “paqe”
Bayern Munich dhe Real Madrid barazuan 2-2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre në Champions League, zhvilluar në Gjermani.
Bavarezët e filluan ndeshjen mirë, duke treguar se kush janë të zotët e shtëpisë. Djemtë e Thomas Tuchel provuan gjashtë herë të shënonin, por pa ia dalë. Kur nuk shënon do e pësosh dhe kjo ndodhi në këtë duel.
Duhej minuta e 24 që një pasim fantastik i Kroos të shfrytëzohej mirë nga Vinicius, me madrilenët që morën kryesimin në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë Bayern Munich u shkund dhe përmbysi ndeshjen për katër minuta. Në të 53’ Leroy Sane mori topin, dribloi mbrojtësit dhe nga brenda zonës me një të majtë të fortë mposhti Lunin për barazimin 1-1.
Vetëm katër minuta pas episodit, Musiala u fut në zonë duke u penguar nga Vazquez dhe penallti për vendasit. Harry Kane nuk gaboi dhe kaloi Bayern Munich në epërsi, për golin e nëntë sezonal në Ligën e Kampioneve.
Në minutën e 83 sërish Vinicius u tregua i saktë dhe barazoi ndeshjen me penallti, për t’i lënë llogaritë të hapura.
Ndeshja e kthimit gjysmëfinale luhet më 8 maj dhe do jetë dueli në ‘Bernabeu’ që do vendosë se cili mes dy ekipeve do marrë një biletë për në finalen e Uembley.