Connect with us

Shkrime

Kur Rama kritikon Kosovën dhe nuk flet për sukseset e saj

Nga Enver Bytyçi

Kosova fitoi vendin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s! Kosova kaloi sprovën e parë dhe kryesoren, sipas mendimit tim, për t’u pranuar në Këshillin e Evropës. Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës fituan vendin e tretë në botë në një konkurs ndërkombëtar ku merrnin pjese përfaqësues të rreth 400 universiteteve të globit, ndër ta edhe ato më famozët universitete. Kosova shënon thuajse çdo ditë suksese dhe fitore të rëndësishme, ose të dorës së dytë.

Megjithatë kryeministri Rama nuk është ndalur të shkruajë asnjë fjalë, asnjë resht, për këto arritje të jashtëzakonshme të Kosovës e të institucioneve të saj. Heshtje e plotë. Kaluan kaq ditë dhe asnjë përshëndetje! Është ai kryeministër që për çdo kritikë që i bëhet qeverisë së Kosovës ose kryeministrit të saj nga Aleksandër Vuçic dhe diplomatë ndërkombëtarë, mban qëndrim negativ kundër Kosovës.

Është po ai kryeministër që thirri presidentin e Francës në Tiranë vetëm që t’i thoshte Albin Kurtit se “Franca do bllokojë liberalizimin e vizave, nëse kryeministri nuk lëviz për zgjedhjet në komunat e veriut”! Është po ai kryeministër që pas Banjskës thoshte se veriu, ku ndodhi akti terrorist serb “është tokë e askujt”! Është po ai kryeministër që hartoi një projekt serb të asociacionit të komunave ku jeton komuniteti serb dhe ia dërgoi presidentit Macron si dhe kancelarit Scholz. Është gjithashtu po ai kryeministër që në takimin e Tetorit në Tiranë me Scholz, e nxiti atë të fliste kundër Kurtit dhe Kosovës, por që nuk mundi ta lëshojë kancelarin gjerman në hullinë e provokimeve të tij!

Pse Rama nuk gjen kohë të thotë vlerësimin e tij, qoftë dhe negativ, për këto zhvillime? Sepse sukseset e Kosovës i bëjnë hije atij dhe autoritetit që ushqen ose dëshiron të ushqejë te shqiptarët në Ballkan. Rama, i mësuar me propagandë mashtruese, lë menjanë sukseset e atyre që nuk i ka në xhepin e tij. Madje nuk i dëshiron as sukseset e bashkëpunëtorëve të tij, sepse është në kërkim vetëm të hijes së vet!

Megjithatë shoh edhe një mundësi tjetër për heshtjen e zotit Rama! Ai është përfshirë në afera të tilla, të cilat kanë kaluar çdo limit. Tashmë duket se e kanë lëshuar gjithashtu miqtë e tij të lidhur me Sorosin. Sepse ai është shndërruar në vetë problemin e qeverisjes, demokracisë e madje të sigurisë në Shqipëri e në rajon. Në këto kushte atij nuk ia ndjen më as për Kosovën, as për Shqipërinë. Nuk i hyjnë në sy as sukseset e as dështimet e dy shteteve përkatëse. Thjesht kujdeset për të ruajtur dhe shpëtuar sa më shumë nga ndëshkimi për mëkatet e tij.

Shkrime

Ballkan/ Zoti na ruajt nëse hapet PANDORA  

Ka sinjale alarmi për Ballkanin dhe dyshime se historia po përsëritet. Nuk është utopi, por një artikull i medias në gjuhën gjermane, Deutsche Welle, shkruan për një situatë tejet të ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun se një luftë e re mundet të shpërthejë.

Nga retorika e qartë luftëndjellëse e Milorad Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë, deri te lobimi serb për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, janë thirrje se duhet patur vigjilencë për një përshkallëzim të mundshëm në gjithë Ballkanin, mbi të gjitha, me një situatë tejet të ndërlikuar edhe në veri të Kosovës, ku ka një stanjacion politik momental, por gjithashtu dhe një gjuhë herë herë të rrezikshme drejt përshkallëzimit.

Po çfarë paralajmëron artikulli i Deutsche Welle dhe pse janë ndezur sinjale alarmi në Ballkan? A po përsëritet historia?

Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb. Simbolika është kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”.

Dodik më tej deklaroi se “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur” dhe si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë.

Përfaqësues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës pasi ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen.

Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina.

“Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.” – theksoi Dodik……….

Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen.

Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasi ata do të hapin kutinë e Pandorës.

“T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.” – deklaroi Brnabiç

Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën.

 

Continue Reading

Shkrime

Vdekja e përgjegjësisë politike dhe degradimi i maxhorancës në një çetë bazhibozukësh

Nag Klodian Tomorri

Kur shpërtheu skandali i Unazës së Madhe, Edi Rama ishte në fillim të mandatit të dytë. Pusi i Rilindjes nuk ishte qelbur ende i gjithi dhe të paktën formalisht ekzistonte ende një fije e përgjegjësisë politike.

Një javë pasi Ylli Rakipi publikoi dokumentat që dëshmonin se DH Albania kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit në Delaëare, Damian Gjinkuri u detyrua të udhëronte anullimin e tenderit 18 milionë euro. Praktikisht shtetit nuk iu shkaktua asnjë dëm sepse tenderi nuk u zhvillua. Por kjo nuk e shpëtoi dot as Gjiknurin dhe as vartësin e tij në ARRSH.

Edi Rama e largoi Damian Gjiknurin nga qeveria, ndërsa Belinda Balluku e nxorri me shkelma Afrim Qendron nga zyra e drejtorit të ARRSH. Dhe ky nuk ishte rasti i vetëm. Në vitin 2018, për shkak të protestave të studentëve apo skandaleve të tjera publike u largua nga detyra gati gjysma e qeverisë.

Por tashmë pusi është qelbur tërësisht dhe përgjegjësia politike ka vdekur. Pasardhëses së Damian Gjiknurit ja kapën rob drejtorin e ARRSH-së. Këtë herë, në rrafshin e përgjegjësisë, skandali ishte edhe më i rëndë se sa ai i Unazës.

Krahu i djathtë dhe njeriu më i afërt i Ballukut nuk u arrestua se një kompani i kishte falsifikuar letrat në tender. Ai tenderat ja jepte vetes dhe paratë e qytetarëve i çonte në kontot e tij private. Megjithatë politikisht nuk ndodhi asgjë. Evis Berberi u arrestua nga SPAK, ndërsa Belinda Balluku vazhdon punën si ministrja më e fuqishme e qeverisë.

Standardi ka vdekur dhe përgjegjësia politike është kallur me kohë. Por asgjësimi i llogaridhënies e shndërron të gjithë shtetin në një kënetë. Ashtu siç po ndodh.

Erion Veliaj, një nga figurat kyç të maxhorancës socialiste tashmë ngjan me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë. Thuajse të gjithë drejtorët dhe ish drejtorët e tij më të rëndësishëm gjenden në burg ose kandidatë serioz për të shkuar aty.

Por ndërsa SPAK ka dekapituar të gjithë zinxhirin komandues të Bashkisë, gjenerali vazhdon në detyrë, pa asnjë pasojë politike. Edhe pse në këtë rast përgjegjësia politike është më direkte. I gjithë grupi i drejtorëve të arrestuar janë emërime ekskluzive të Veliajt dhe tenderat që ata i kanë dhënë vetes janë prokurime me autoritet kontraktor Bashkinë e Tiranës.

Degradimi i qeverisjes dhe vdekja e standardit të llogaridhënies politike është ftesë e hapur për plaçkitje. Mesazhi që vjen nga koka është i qartë. Këtu vjedhin të gjithë dhe përgjegjësia politike e ka humbur kuptimin. Kush shpëton, mirë. Kush kapet e ka për qederin e vet.

Ndaj sot Edi Rama ngjan shumë me Sulltan Fetihun. Kur iu vërsul Konstandinopojës, Mehmeti ishte i qartë me jeniçerët e tij. “Merrni plaçkë sa të doni, mua më duhet vetëm Konstandinopoja.” Kjo është edhe filozofia e Rilindjes sot. Bazhibozukët mund të plaçkisin gjithë shtetin. Sulltanit i duhet vetëm pushteti. /

Continue Reading

Shkrime

Veliaj në rastin më të keq bashkëpunëtor, në më të mirin i paaftë

Ajo që lexohet në dosjen e hetimeve të SPAK për aferën e kompanisë ‘5D Konstruksion’, nuk është as më pak e as më shumë se ato që dëgjojmë çdo ditë për mënyrën se si paracaktohen tenderat dhe se si shteti vendos kë të bëjë të pasur duke blerë pushtet.

Duke kontrolluar në procedurat e prokurimeve që i janë dhënë kësaj firme, në total të dalin një dyzinë kompanish të cilat marrin pjesë në tendera herë bashkë dhe herë kundër njëri-tjetrit. Përfituesit numërohen me gishtat e dorës dhe ata që nuk janë rrethi i tyre skualifikohen në të gjitha fazat.

Çudia që na krijuan hetimet e kompanisë 5D, lidhet me risinë se në dallim nga skema klasike që kemi dëgjuar, drejtorët nuk merrnin përqindje në tendera por ia çonin të gjitha paratë firmës së tyre.

Është naive që çdokush në këtë vend të besojë se ata që sot punojnë në poste drejtuese në administratë rropaten për të mirën e popullit, dalin lypin vota ditë e natë në fushatë dhe kënaqen me një pagë që në rastin më të mirë nuk kalon 1.200 euro. Me pagat që sot ka shumica e institucioneve publike, ai që kërkon të pasurohet me dinjitet ose kalon në sektorin privat ose largohet nga ky vend.

Naive është po ashtu të besohet se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ka ditur gjë për këtë aferë. Përgjegjësia e parë ka të bëjë me rolin e tij si titullar i Autoritetit Kontraktor në 8 procedura ku fitues ka qënë kompania ‘5D Konstruksion’. SPAK ka vërtetuar se pronarë janë drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë dhe njerzit e afërt të tij. A duhet hetuar nëse ka patur dijeni për konfliktin e interesit, njësoj siç është hetuar roli i ish-ministrit Ilir Beqaj te dosja e ‘Sterilizimit’?

Së dyti, titullari i Autoritetit Kontraktor është personi i cili cakton njësinë e prokurimit, antarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shpall fituesin dhe lidh kontratën. Po ashtu, në 3 raste Erion Veliaj është njoftuar me shkresë nga operatorët pjesëmarrës në tender për ankesa që kanë patur për skualifikim të padrejtë.

Sekrete nga dosja e drejtorëve të arrestuar të Veliajt (faksimilet)
Natyrshëm lind pyetja: A është Erion Veliaj ai që lexon ankesën dhe cakton antarët e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave? Si ka vepruar ai në rastin që disa kompani e kanë njoftuar se oferta e tyre më e ulët, që mund t’i kursente para bashkisë dhe qytetarëve është skualifikuar padrejtësisht? Përse komisioni i ankesave i ngritur prej tij, nuk konstatoi shkeljet që gjeti SPAK në këto procedura?

Përgjegjësia e tretë është morale. Përse Veliaj nxitoi të mbështesë drejtorët e tij dhe të ‘duartrokasë’ kallzimin që ata bënë për shpifje pas denoncimit të kandidatit të PD në zgjedhjet lokale? Përse nuk ngriti një audit, nuk ushtroi një kontroll, nuk premtoi hetime?

A duhet të kërkojnë falje çingijet që bënë thirrje për të votuar Veliajn?
Këtë histori sido që ta kthesh, të gjitha rrugët të çojnë te konkluzioni se ose përfitimet e paligjshme janë bërë me bekimin e tij, ose institucioni që ai drejton ka rënë në të gjitha instancat. Në rastin më të keq është bashkëpunëtor dhe në rastin më të mirë është i paaftë për të drejtuar bashkinë!

♦Marrë nga Facebook i autores Ola Xama

Continue Reading

Shkrime

Kosova ndizet dhe shuhet nga Aleksandër Vuçiç

“Është e qartë se Beogradi, përmes inkuadrimit të dy anëtarëve të Qeverisë së re, të cilët janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, është kujdesur për të ushqyer marrëdhëniet me Moskën” – keshtu deklaroi Bodo Weber dhe sipas tij, gjithsesi  kjo nuk do të thotë braktisje e politikës së uljes në dy karrige (midis Lindjes dhe Perëndimit)”

Sipas bashkëpunëtorit te lartë te Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit ne Berlin, “Qeveria e re e Serbisë, e cila u votua të enjten, do të ketë 25 portofolë dhe pesë ministra pa portofol dhe mes tyre spikasin dy zyrtarë nga “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara.

I pyetur nëse përbërja e re e Qeverisë së Serbisë do të thotë kthesë djathtas, duke pasur parasysh se në të përveç progresistëve dhe socialistëve, eshtë edhe Aleksandar Vulin si zëvendëskryeministër, si dhe lider i së djathtës nga partia Zavetnici, Weber tha se nuk sheh ndonjë ndryshim ideologjik në politikën e regjimit të Aleksandër Vuçicit në përbërjen e qeverisë së re.
Duke komentuar ndikimin e Rusisë në emrat e qeverisë qe tani drejtohet nga Millosh Vucevic, duke marrë parasysh kthimin e Aleksander Vulin dhe Nenad Popoviç, të dy non grata e të shenjuar si persona të lidhur me Kremlinin, Weber u shpreh se anëtarësimi në BE ka qenë prej kohësh një mjet për konsolidimin dhe mirëmbajtjen e Vuçicit në pushtet, dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Serbisë pa orientime të qarta ideologjike.

“Meqenëse BE-ja nuk mundi të gjente forcë për të ndaluar politikën e saj të dështuar prej kohësh të ‘zbutjes’ ndaj regjimit autoritaro-autokratik në Serbi, shfaqja e zbrazur nga çdo thelb vazhdon, në sy të të gjithëve, dhe qe eshte I ashtuquajturi eurointegrimi i Serbisë.

Prandaj, Vuçic me të drejtë nuk duhet të shqetësohet shumë se çfarë lloj mesazhesh po i dërgohen nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera evropiane” – deklaroi Weber, duke shtuar se “Iniciativa gjermano-franceze per dialogun politik Kosove-Serbi, për faktin se bazohej pikërisht në atë politikë të dështuar, u shua pa u ndezur dhe u shoqerua me një përshkallëzim të paprecedentë në veri të Kosoves, të cilën kryeqytetet perëndimore ende nuk janë gati ta pranojnë…………….

“Dhe teksa rolin udhëheqës në atë politikë “zbutëse” perëndimore e pati SHBA-ja, prandaj dhe presidenti serb  me sa u pa nuk ishte shumë i shqetësuar për reagimin amerikan si pasoje e kthimit të dy ministrave të sanksionuar në Qeverinë e re. Dhe per kete ai pati një arsye të fortë… –Sepse politikëa e sanksionimit të zyrtarëve serb afër Kremlinit, ishte dhe mbetet krejtësisht e palidhur me politikën e përgjithshme të administratës amerikane ndaj Beogradit” – potencoi Weber.

Është e qartë, mendon ai, se Vuçiç është kujdesur që përmes këtyre emërimeve qeveritare, të ushqehen marrëdhëniet me Moskën, në kohën kur ai po ndihet nën presion për shkak të vendimit të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës dhe rezolutës së Kombeve të Bashkuara për gjenocid në Srebrenicë.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Vucic ka braktisur politikën e uljes në dy karrige”  – theksoi bashkëpunëtori i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit ne Berlin.

Continue Reading

OPINION

Qeveria që na duhet

Nga Edison Ypi

Të zgjidhen si duhet emrat e përshtatshëm që meritojnë të kryejnë detyrat sa të larta e të vështira të një qeverie që na duhet, teknike, kalimtare, provizore, quaje si të duash, është detyra urgjente që duhet të na preokupojë të gjithëve për të na nxjerrë një minutë e më parë nga kullat e fildishta, guackat familiare, kolltuqet e rehatit, dyshekët e ngrohtë, shtretrit e dafinave mbi të cilët na ka zënë gjumi, dhe t’i futemi punës si turku supës për t’i bërë sa më shpejt realitet ëndërrat në shkop që populli liridashës shqiptar prej shekujsh me sy hapur sheh.

Meqënse, me gjasa, ministrat e qeverisë në fjalë, do jenë më tepër të “asaj” se të “kësaj” bote, do ketë probleme logjistike lidhur me varrosje-çvarrosjen e mishrave të kalbura, skeleteve të hallakatura, kockave të thyera. Megjithatë s’është për tu dekurajuar. Për një qeveri individësh me kontribute të shquara me fakte dhe jo me llogje, me pak dëshirë dhe shumë punë, zgjidhja gjithmonë gjindet

Në mënyrë që edhe populli ynë i lavdishëm i shumvuajtur të ketë më së fundi qeverinë që meriton, ja një listë e mirëmenduar, e vetmja që mund ta nxjerri Kombin nga gjëndja e trazuar ku ndodhet, nga moçali ku është zhytur e mbytur, brenda të cilit moçal lahet, shplahet, krihet, hekuroset, ha, pi, vishet, mbathet, bën qef, udhëton, hedh ickla, por s’dihet, dhe as kuptohet, pse thotë se po lëngon.

Kryeministër, teneqexhiu që ka dhënë edhe jetën nëpër biruca për një qeverisje shembullore sa më demokratike – Koçi Xoxe.

Ministër i Jashtëm, kaurri europian që për ardhmëninë e Shqipërisë dhe iluminimin e shqiptarëve iu nënështrua sakrificës më sublime që mund të imagjinohet, u bë synet – Princ Vidi.

Ministër i Luftës, kush mund ta kryejë më mirë këtë detyrë sa të shenjtë e të vështirë se Haxhi Qamili që e kishte më kollaj të pushtonte Anglinë dhe Gjermaninë se sa Kavajën dhe Ndroqin ?
Ministër i Rendit, e vetmja zgjedhje që nuk guxon ta kundërshtojë askush – Xhaferr Deva.
Ministër i intrigave, Beu qefli me nam i kupacit të gjizës së Shijakut dhe balerinave të Parisit – Esat Toptani.
Ministër i Diversantave – Ekrem Bardha, lum ai që s’e njeh.
Ministër pa portofol, kqyrës i natyrës dhe thurës i vargjeve rrënqethës, ndonjëher edhe tallës deri therës – Lasgush Poradeci.
Ministër i Turizmit Biblik, ai që çudinë mrekulluese frymëndalëse të miliona turistave e ideoi dhe e mundësoi – Shtatlartësia e Tij.
Ministër i tallavasë, urrejtësi më i egër i saj, i vetmi që kësaj katandisje artistike i vjen hakut – Frederik Ndoci.
Ministër i Qënërisë mund të emërohet secili nga legenat e banaqeve, por s’do ishte keq dhe një budalla kok shinik çun oficeri që bën si sapient, si intelektual i ndritur, si aristokrat i thekur, që ja harrova emrin, ama, me apo pa dashje, në rëntë në gojën time, do e ha dhe do e pështyj disa herë si frulatori supën e perimeve.
Ministreshë e shkopave të çadrave, atyre të diellit të plazhit, dhe atyre të shiut të ngatrresave verbale-kuptimore – Olta Xhaçka.
Ministreshë e futjes së dy këmbëve në një këpucë kundërshtarit politik përmes retorikës brilante, ajo që duke ushtruar talentin mahnitës s’kursen askënd – Elisa Spiropali.
Ministër i përdhosjes pa asnjë arsye dhe pa asnjë të drejtë të ambasadorëve, trupave diplomatike, sharjes me libër shtëpie diplomatët e akredituar në Tiranë, ai që këtë turp e ka zanat – Xhahil Sahanlëpirsi.
Ministër fuqiplotë i administrimit Shkumbin e tatëpjetë – Doktori.
Ministër i gjithpushtetshëm Shkumbin e përpjetë – Ilir Meta.
Ministër i Etimologjisë Folklorike, ai që mender shkencën në fjalë e ka nxjerrë nga brima e bythës – Petro Zheji.
Ministër i bijve budallenj dhe nipërve idiotë – Ahmet Zogu.
Ministër i kafshërisë, rrugaçërisë, imoralitetit, ordinerllëkut, spiunllëkut, hajdutllëkut – Azem Hajdari.
Ministëri i Numizmatikës atdhetare patriotike – Artan Lame.
Iniciator, flamurtar, pionier, maratonomak, theror, dëshmor, i përhapjes së arsimit, kulturës, Artit, Letërsisë – Henri Çili.
Ministër i inteligjencës artificiale, urrejtësi congenital i saj – kaurri Aurel Plasari.
Ministër i Rënkimeve, Psherëtimave, Ofshamave, askush më i përshtashëm se madhështori – Piro Kuqi.
Ministër i Antikorrupsionit – Mitat Frashëri.
Ministër i Bejlerllëkut genuin – Rushan Bej Pacomiti.
Ministër i Vigjilencës proletare, nga të parët që prej kësaj vigjilence e pësoi me varje në litar – Hamit Matjani.
Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Artistike – Karavidh Kacapidhi.
Ministër i operacioneve plastike, goja pridh, pridhi gojë, surrati allçi, bytha llastik – njëri nga të dy, Paris Pordha ose London Kaka.
Ministreshë e Tranzicionit, Moralit, Mallit për Gjyshen, fenomenalja filozofe poliglote që po tund dheun e po gris qiellin – Lea Ypi.
Ministër i Antikomunizmit – Uran Butka ose Çelo Hoxha, dhe pak e kanë, meritojnë më tepër.
Ministër i Pilafit me mish e raki – Pali Miska ose Rita Marko.
Ministër i Intrigave dhe torturave – kurvi ose Kadri Hazbiu.
Zëvendësministrat dhe drejtorët e qeverisë që na duhet do jenë shumica diversanta. Kusuri do jenë pisanjosa nga Uzina e traktorave, Ferma Gjergj Dimitrov, Azotiku i Fierit, Superfosfati i Laçit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING