Connect with us

Kosova

Kurti ndez debatin për Asociacionin: Beogradi kërkon një Republikë Srpska në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Prishtina mbetet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vetëm mbi bazën e njohjes së ndërsjellë.

Persa i përket Asociacionit, Kurti kundërshtoi modelin që, sipas tij, kërkohet nga Beogradi. Ai argumentoi se një strukturë me kompetenca politike të ngjashme me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do rrezikonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Beogradi dëshiron një strukturë që do të kishte fuqi politike të ngjashme me Republikën Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ky do ishte një mekanizëm për të sfiduar funksionalitetin dhe shtetësinë e Kosovës nga brenda”, deklaroi Kurti.

Ai iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se një bashkim monoetnik i komunave nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Kurti e lidhi tensionin me Beogradin edhe me orientimet gjeopolitike. Sipas tij, Kosova është e orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa Serbia, ndonëse deklaron se ndjek rrugën evropiane, ruan lidhje të ngushta me Moskën.

Ai akuzoi gjithashtu elitën politike serbe se nuk ka pranuar, sipas tij, përgjegjësinë për krimet e luftërave të viteve ’90.

Persa i përket rrezikut për konflikte të reja në Ballkan, Kurti theksoi se problemi nuk qëndron te qytetarët, por te elitat politike që përdorin nacionalizmin për të ruajtur pushtetin.

Kurti foli edhe për krizën politike në Kosovë dhe zgjedhjen e presidentit. Ai u shpreh se opozita po përdor procedurat parlamentare për të bllokuar zgjedhjen e kreut të shtetit, ndërsa tha se do të vazhdojë dialogun me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje.

Advertisement