Connect with us

Kosova

Kurti: Opozita është e vjetër, sa më shumë po mbahen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të zgjedhë presidentin e Republikës për herë të tretë ditën e sotme. Në seancën plenare ndodheshin vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe në sallë mungonin deputetët e LDK, PDK, AAK, dhe të Listës Serbe. Kështu që nuk plotësohej kuorumi prej 80 deputetësh të pranishëm në sallë, që të zgjidhej Presidenti i ri. Me mos-kalimin e krizës së zgjedhjes së Presidentit, Parlamenti i Kosovës u shpërnda dhe vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partitë opozitare në Kosovë janë në rënie të lirë dhe me çdo proces zgjedhor vetëm sa po bien më tepër.

Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë. Po bien vazhdimisht nëpër cikle elektorale. Sa më shumë po mbahen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë. Asnjë mësim s’po nxjerrin. Do të ishin qesharakë sikur të mos ishin të gjorë”, tha Kurti.

Ai shtoi se opozita po thotë “ose populli le të na heqë nga Kuvendi ose duhet të na dojë me zor”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është mbrojtur rendi kushtetues dhe është shmangur, sipas saj, një shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë ruajtur. Kjo parti e konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike bie mbi pushtetin aktual, të cilin e akuzon për krijimin e krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisje dhe probleme ekonomike.

PDK-ja vlerëson se, në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. Në këtë drejtim, ajo i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke siguruar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Po ashtu, kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për zgjedhje dhe përmes votës së tyre të refuzojnë, siç thuhet, përçarjen dhe bllokadat institucionale.

Në reagimin e saj, PDK-ja thekson se vendi ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet politik dhe institucione funksionale, duke kërkuar një qeverisje që respekton Kushtetutën. Sipas saj, pas zhvillimeve të fundit, vendimmarrja kalon tek qytetarët përmes procesit zgjedhor.

Advertisement