Kronike
Kush është Vladimir Bruçi, u dhunua dy vite më parë nga 6 persona për një vend parkimi
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar ditën e sotme në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku mbeti i plagosur 62-vjeçari Vladimir Bruçi, një emër i njohur për Policinë për shkak të konflikteve të mëparshme.
Ngjarja e sotme rikthen në vëmendje një përplasje të ndodhur në të njëjtën zonë në qershor të vitit 2024. Më 3 qershor, Bruçi u dhunua me sende të forta nga gjashtë persona, pas një konflikti për një vend parkimi.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkodrës dënoi tre persona. Izmir Sakica u dënua me 4 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj. Samuel Troshani dhe Arlind Kajoshi u dënuan me nga 16 muaj burg.
Por konflikti nuk u mbyll me vendimet e gjykatës. Rreth tre muaj pas dhunimit të babait të tij, Alban Bruçi, djali i Vladimir Bruçit, qëlloi katër herë me armë zjarri në drejtim të automjetit të Arlind Kajoshit, një prej personave të dënuar për dhunën ndaj të atit.
Tashmë, dy vite pas përplasjes së parë, Vladimir Bruçi është sërish në shënjestër të një sulmi me armë zjarri. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes dhe po punon për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po zbardh rrethanat dhe motivin e ngjarjes.