Bota
Kush janë personat që e bindën presidentin e SHBA të telefonojë FIFA-n
Një raport i Wall Street Journal ka ngritur polemika të forta, duke pretenduar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ndërhyri te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për të anuluar pezullimin e sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Bosnje-Hercegovinës.
Sipas raportit, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë e konsideruan përjashtimin e Balogun si një goditje për shanset e kombëtares amerikane në Botëror dhe bindën Trump të kontaktonte drejtpërdrejt Infantinon. Pas bisedimeve, FIFA vendosi të anulonte pezullimin, duke u mbështetur në një dispozitë të rregullores që i jep Komisionit Disiplinor diskrecion për rishikimin e sanksioneve.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit. Federata Belge e Futbollit e quajti zhvillimin “tronditës” dhe njoftoi se po shqyrton opsionet ligjore, ndërsa trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, dhe ai i Norvegjisë, Ståle Solbakken, kritikuan ashpër FIFA-n, duke paralajmëruar se vendimi dëmton besueshmërinë e Kupës së Botës.
Sipas Wall Street Journal, Trump u bind të telefononte Infantinon pasi u informua nga Sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick dhe Andreë Giuliani, drejtues i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës dhe djali i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani.
Ata argumentuan se kartoni i kuq ndaj Balogun ishte i padrejtë dhe se mungesa e sulmuesit kryesor do të dëmtonte seriozisht shanset e SHBA-së në ndeshjen vendimtare ndaj Belgjikës. Raporti shton se Trump, i cili e konsideron organizimin e Botërorit në SHBA si një çështje prestigji kombëtar dhe personal, urdhëroi bashkëpunëtorët e tij të gjenin një mënyrë për të kundërshtuar vendimin, përpara se të kontaktonte presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Nga ana e saj, FIFA mohoi se ka pasur ndikim politik, duke këmbëngulur se vendimi është marrë në mënyrë të pavarur nga Komisioni Disiplinor. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportin. Nëse pretendimet e Wall Street Journal konfirmohen, rasti mund të hapë një debat të gjerë mbi kufijtë e ndërhyrjes politike në vendimmarrjen e institucioneve sportive ndërkombëtare.