Bota
MERZ: KY DIMER DO TE JETE TRAGJIK PER NE
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht për forcimin e mbrojtjes ajrore dhe përgatitjen e vendit për dimrin…
“Nuk duhet të krijojmë iluzione: Rusia do të vazhdojë bombardimet pa skrupuj dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile. Këto janë krime lufte që ndodhin çdo ditë”, deklaroi Merz.
Kancelari tha se Berlini po zhvillon “konsultime intensive” me partnerët evropianë përpara Këshillit të ardhshëm Evropian, më 15 dhe 16 tetor, për të shqyrtuar mundësitë për shtimin e mëtejshëm të ndihmës për Ukrainën.
“Po diskutojmë gjithashtu për ndihmë shumë konkrete për buxhetin ukrainas. Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të përmirësuar mbrojtjen ajrore”, tha ai.
Sipas Merz, mbrojtja ajrore përbën aktualisht “një nga sfidat më të mëdha” për Ukrainën. Ai shtoi se po zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me disa krerë shtetesh dhe qeverish për të mundësuar furnizime të tjera në këtë fushë.
Kancelari tha se synimi është që Kievi të përgatitet për dimrin e ardhshëm, përfshirë sigurimin e furnizimit me energji.
“Nuk do të frikësohemi. Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, sepse dimë një gjë: Ukraina është pjesë e Evropës. Dhe nëse Ukraina bie, atëherë paqja dhe liria në të gjithë Evropën janë në rrezik”, deklaroi Merz, duke shtuar “do të bëj gjithçka që është në mundësitë e mia për ta ndihmuar këtë vend edhe gjatë një dimri që mund të jetë shumë, shumë i vështirë”.