Connect with us

Kosova

Lavrov në krah të Vuçiçit: Po e përballon me guxim presionin që i bëhet Serbisë për Kosovën

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka dalë në mbrojtje të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke akuzuar Bashkimin Evropian se po ushtron presion të fortë ndaj Beogradit për çështjen e Kosovës.

Në një deklaratë të raportuar nga mediat ruse, Lavrov tha se Vuçiç po përballet me rrethana të vështira dhe se po e përballon me guxim presionin e Brukselit.

Sipas Lavrov, BE-ja i ka vendosur Serbisë dy kërkesa kryesore për avancimin e procesit të integrimit evropian: njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përafrimin me vendimet e BE-së ndaj Rusisë.

Lavrov e cilësoi këtë si një formë shantazhi ndaj Beogradit, ndërsa tha se presidenti serb ka duruar këtë presion për më shumë se një vit.

Ministri rus komentoi edhe vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi, duke e lidhur atë me përpjekjet e Vuçiçit për të zbutur presionin që, sipas Moskës, po vjen nga Bashkimi Evropian.

Lavrov tha gjithashtu se Rusia nuk i ka kërkuar Serbisë asgjë, përveçse të mos marrë pjesë në armatosjen e Ukrainës.

Ai vlerësoi vendimin e Vuçiçit për të ndaluar aktivitete të tilla, ndërsa kritikoi ashpër qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj Rusisë.

“Ky presion është i paturpshëm dhe i pamatur”, deklaroi Lavrov, duke akuzuar Evropën se po sillet sikur tashmë ekziston një “Rajh i Katërt”.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht presionit ndërkombëtar.

Deklaratat e Vuçiçit dhe Lavrovit vijnë në një moment kur Beogradi ndodhet nën presion për të avancuar dialogun me Prishtinën dhe për t’iu përshtatur politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ndërsa Brukseli kërkon përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Moska vijon të mbështesë hapur qëndrimin e Beogradit për statusin e Kosovës.

Advertisement