Connect with us

Aktualitet

Leka dhe Elia, fundi i palumtur i një përralle me princeshë

Ata bënë çmos që historia e tyre e dashurisë t’i ngjante një përralle. Për Leka Zogun, ishte më e lehtë. I mësuar që në vogëli me idenë se i përkiste një sëre tjetër, sjellja prej princi është pjesë e mënyrës së tij të jetesës që në hapat e parë. I ndihmuar edhe nga një trashëgimi për t’u lakmuar për hir të pronave që gjyshi u kujdes t’ia caktonte vetes në Tiranë, Leka ishte ndër beqarët më joshës në rininë e tij. Atëherë njohu edhe Elja Zaharian.

E reja sapo ishte kthyer nga studimet jashtë vendit. Po eksperimentonte në muzikë, ndërsa hidhte hapat e parë në aktrim. Ishte ende herët që ajo të quhej një artiste e konfirmuar, por për Elja Zaharinë nuk mungonte publiciteti në faqet rozë të gazetave duke qenë vajza e aktores Yllka Mujo.

Është pikërisht e ëma që bëhet shkas të ndodhë një takim mes saj dhe Lekës në vitin 2008. Në një pritje, ku ai ishte me miqtë e tij. Ndodhi që dy të rinjtë shkëmbyen numrat dhe dolën si miq në takimin e parë. Çfarë i pëlqeu vajzës tek princi, veç shtatit të tij 2 metra i gjatë?

“Ai është shumë i kujdesshëm për njerëzit. Ai është shumë i kujdesshëm. Ai është, francezët i thonë “a l’ecoute” në dëgjim të të tjerëve, nuk është një person që do të flasë për veten e tij, të nisë dhe të mos të mbarojë. Përkundrazi, është natyrë që kujdeset dhe interesohet për të  tjerët, nëse kanë nevojë për diçka” tregonte Elja.

Të dy gjejnë vetë rrugën për të krijuar një marrëdhënie të re. Leka kujton se në fillim lindi miqësia, më pas dashuria.

“Ne jemi takuar në 2008. Ishim tek Parku Kame në Ibë. Jemi prezantuar nga znj.Yllka Mujo, mamaja e Eljas sepse kam pasur nderin dhe kënaqësin që në të kaluarën ta takoj shpeshherë. Që atëherë kemi shkëmbyer numrat, por vetëm për shoqëri dhe thuajse gjithë verën kemi kalu bashkë. Kemi diskutuar. Biles kemi shkuar në një udhëtim shumë të shkurtër në jugun e Shqipërisë. kishte një shkëndijë, realisht në një moment u ndjeva shumë rehat. Elja gjithashtu. Dhe miqësia jonë u shndërrua në dashuri” tregon Leka në një intervistë  të disa viteve më pas.

Fakti që profesioni i Eljas ishte një aktore, i bën disa të ngrenë vetullat. Leka e pranon vetë se paragjykimi ekziston në disa familje që ai ka njohur. Por për të nuk është problem. Përkundrazi, ai mbetet një nga mbështetësit më të zjarrtë të pasionit të të shoqes për aktrimin dhe si i tillë, shihet teksa i dhuron lule në fund të shfaqjes.

Vdekja e Leka Zogut të madhit në fund të vitit 2011 është e vështirë për Lekën. Çifti afrohet më tej. Të bindur se kanë gjetur njeriun e jetës tek njëri-tjetri, vendosin të kurorëzojnë në martesë dashurinë e tyre. Është martesa e dytë mbretërore të vendit pas asaj të vitit 1938 mes Zogut dhe Geraldinës

Dasma e Leka Zogut dhe Elja Zaharias ishte ëndrra e çdo vajze. Mediat vendase dhe të huaja shkruajtën me superlativa. Të ftuarit erdhën nga e gjithë bota. “Lea e Belgjikës”, “Sofia e Spanjës”, “Majkëll i Kent”… emrat e thënë shkurt nuk kishin nevojë për tituj,  pasi në vendet e tyre miqtë e Lekës njiheshin si përfaqësues të aristokracisë.

“20 familje mbretërore nga e gjithë bota kishin dërguar përfaqësuesit e tyre në Tiranë. Mbretëresha Elisabetë II kishte dërguar princin Michael të Kent, kushëri i parë i saj. Të tjera figura të rëndësishme ishin princesha Léa e Belgjikës, mbretëresha Sofía e Spanjës” –shkruajti britanikja Daily Mail për dasmën në Tiranë.

Në shkrimin e revistës franceze “Point de vue” që i dedikoi plot 10 faqe dasmës së Lekës dhe Eljas, gazetari Stephane Bern shkruante se asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte parë një eveniment të tillë me burra me frak dhe gra me fustane të gjata.

Megjithëse vetëm princesha Marie Christine de Kent, dukesha e madhe Maria e Rusisë dhe Margareta e Rumanisë, mbanin diadema të rralla, mbrëmja u shqua për një rafinim të rrallë, shkruhej në raportimin e gjatë të revistës. Bern përshkroi me detaje menynë me 5 korse gatimesh të vjetra shqiptare, ku mbizotëronin mishi i qingjit, lakrat dhe djathi i dhisë.

Gjatë ceremonisë Elia mbante një diademë safari dhe diamanti të cilën e kanë mbajtur edhe gjyshja e burrit të saj Geraldina dhe mamaja e tij Suzana. Në shkrim përshkruhej me detaje kjo diademe me një diamant të madh 29 karatësh, të cilën Ahmet Zogu e porositi në Vjenë tek Ostier për Geraldinën.

Vlera e saj qëndronte tek fakti se pjesa më e madhe e bizhuterive të familjes mbretërore është shitur nga Ahmet Zogu në vitin 1959 gjatë një ankandi në Nju York dhe më pas i biri, Leka Zogu i shiti edhe ato që i kishin mbetur në vitin 1980. Kjo diademe është nga reliket e vetme që familja kishte trashëguar deri sot.

Menjëherë pas dasmës, Elia lëshoi mesazhin e parë “ndryshe”.

“Shpresoj që kjo dasmë të mbesë në mendje dhe shpirt një kujtim i bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët!” – shkruajti ajo në Instagram. Tani po fliste si një princeshë.

Në kronikat pas dasmës, çiftit i duhet një imazh më i pjekur. Tani janë burrë dhe grua. Leka nuk ngurron të shfaqë mendimet e tij në politikë. Ai është angazhuar për disa kohë si këshilltar i Lulzim Bashës në Ministrinë e Brendshme dhe në atë të Jashtme. Lëvdatat për Bashën si lideri i ri i të djathtës nuk mungojnë.

“Për Bashën mund të flas jo si kryetar i Partisë Demokratike, sesa si një ish-Ministër i Punëve të  Jashtme apo Ministër i Punëve të Brendshme me të cilin kam patur fatin të punoj dhe ta njoh nga afër. Natyrisht që ai përfaqëson një brez  të ri me frymë perëndimore, me shumë kulturë dhe ambicie dhe mjaft i respektuar nga faktori ndërkombëtar” thotë Leka..

Për Edi Ramën, përshtypjet janë të tjera. Në veçanti, vë në dukje një anë tjetër të Edi Ramës, atë brutale.

“Ai është pjesë e vorbullës së sharjeve dhe në  jo pak raste e brutalitetit në marrëdhënie me opozitën” thotë Leka duke folur për kryeministrin.

Ndërkohë Elja Zaharia duket e magjepsur nga bota e re që ka hapur dyert për të. Udhëtimet janë të shumta ndërsa familja e saj e pret krahëhapur dhëndrin e ri. Aq krahëhapur, sa vjehrri çohet të gatuajë personalisht kur vajza i vjen për vizitë. Leka nga ana tjetër thotë se ushqimi i tij i preferuar është byreku me mish pule i gatuar nga babai i Elias.

4 vite pas dasmës, Elja fotografohet në rrugët e Tiranës me barkun e rrumbullakosur. Në 2020 lind vajza e tyre Geraldina, që trashëgon emrin e mbretëreshës. Martesa hyn në rrjedhën e saj normale.

Edhe disa vite më pas, Elia duket e pakursyer në dëshirën e saj për të njohur dhe për t’u familjarizuar me historitë e Zogollëve. I lind dëshira për të shkruar një përrallë, “Trëndafili i bardhë”, të cilën ia dedikon mbretëreshës Geraldinë.

“Përralla ka elemente imagjinare, ka simbolika dhe një prekje me shumë dashuri të traditave, folklorit dhe mikpritjes shqiptare. Padyshim që përralla mbyllet me një fund të lumtur, paçka se për hir të së vërtetës nuk ka një fund tipik” tregon ajo më pas.

Duket se në mendjen e saj është e ngulitur ideja se çdo histori me princër e princesha duhet të ketë fundin e lumtur.

Në një intervistë të pak muajve më parë për mediat italiane vazhdon të flasë me të njëjtën çiltërsi për librin që ia ka dedikuar mbretëreshës Geraldinë. Duket sikur nuk ka marrë asnjë sinjal që imazhi perfekt që ka ndërtuar për jetën e saj bashkëshortore do të griset shumë shpejt si një fotografi e vjetër.

“Si është të jesh një princeshë në Shqipëri?” e pyet gazetari italian.

“Eshtë një status i veçantë, -përgjigjet ajo,- shteti na njeh. Ndaj kemi detyra përfaqësimi jashtë vendit. Shoqëria shqiptare është shumë e polarizuar dhe njerëzit kanë nevojë për simbolika unifikuese. Familja mbretërore ështës simbol përbashkues”.

Lajmet e para për një divorc mes çiftit ishin më shumë hamendësime periferike në portale. Dikush dëgjoi një thashethem dhe hodhi një sy nëse ishte e vërtetë se Leka dhe Elja nuk ndiqeshin më në llogaritë e tyre në Instagram. Verifikimi rezultoi i vërtetë. Thashethemet për një ndarje u shtuan.

Po ashtu në ditëlindjen e vajzës së tyre Geraldinës, u tha se prindërit festuan të ndarë. Elja organizoi një festë ku i ati nuk ishte pjesë, por vetëm familjarët e saj.

Leka konfirmoi gjithçka kur publikoi një foto me vajzën e tij, Geraldinën me rastin e festave të fundvitit. Mungesa e bashkëshortes ishte e dukshme. Kaq u desh që të zbulohej gjithçka.

E dashura e re e Lekës ishte fotografja e familjes, Blerta Celibashi. Asnjëherë nuk u sqarua nëse Leka e kishte tradhtuar Elian me fotografen e tij, çka mund të ketë shtyrë dhe ndarjen e tyre, apo Leka ishte lidhur me të pas ndarjes.

7 vjet pas martesës për çiftin nisën telashet e divorcit. Në njërën anë ishte pasuria e konsiderueshme e Lekës, në anën tjetër përcaktimi i kushteve të jetesës së vajzës.

“Pasuritë janë ato që vendosen gjatë regjimit martesor, nuk përfshine pasuritë që janë të trashëguara. Nuk përfiton partneri nga pasuritë e trashëguara” e bëri të qartë avokati i Leka Zogut në një intervistë për mediat. Ndërkohë dukej se Leka ishte i hapur që vajza të jetonte me nënën gjithnjë duke pasur mundësi ta takonte.

Dihet se dashuritë e mëdha kthehen në urrejtje të mëdha. Këtë të mërkurë u mësua që çifti kishte përfunduar në dyert e policisë për të denoncuar njëri-tjetrin për dhunë. Një filmim që është shpërndarë në media tregon më së mirë situatën e tensionuar që është krijuar.

Me pak fjalë ajo që ka ndodhur është kjo. Leka ka shkuar të takojë vajzën e tij sipas një takimi të dakortësuar. Në shtëpi thotë se i ka rënë në sy mungesa e disa orendive që i takonin atij. Më pas ka hyrë në dhomë dhe ka gjetur vjehrrin e tij bashkë me të bijën. Të dy janë kapur me fjalë dhe kanë tentuar të nxjerrin jashtë njëri-tjetrin. Kur ka parë konfliktin ka ndërhyrë Elja që tenton të godasë Lekën për ta nxjerrë nga shtëpia. Ky, për të provuar se po dhunohet ka ndezur telefonin dhe nis të filmojë.

“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.

Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.

Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.

Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.

Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.

Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”

Por Gjergj Zaharia nuk e pranon se është treguar i dhunshëm. Ai thotë se ishte Leka që e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda.

“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë” është shprehur i moshuari në polici.

Filmimet aspak të këndshme bënë xhiron e mediave. Gruaja në video që përzë me mllef burrin nga shtëpia nuk ka asgjë të përbashkët me vajzën e bukur të ulur në fronin e princeshës.

Aq më pak Leka në momentin kur filmon veten dhe bashkëshorten s’ka lidhje me asnjë imazh mbretëror. Ndoshta, nëse i kthehesh historisë ikja e Lekës në panik nga shtëpia mund të jetë një lloj përsëritje në miniaturë e nxitimit, me të cilin gjyshi i tij mbret ia mbathi nga Shqipëria në fillim të luftës në 1939.

Në të gjitha rastet, pamjet të lënë një shije të hidhur. Njësoj si fundi i palumtur i një përralle, që ishte e bukur aq sa zgjati. (Lapsi.al)

Aktualitet

Plas sherri te terminali i autobusëve në Fier/ Plagoset me thikë një person, arrestohet autori

Një plagosje me thikë ka ndodhur sot në terminalin e autobusëve në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Një 50-vjeçar plagosi me thikë një  40-vjeçar.

Ky i fundit është dërguar në spitalin e Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore, ndërsa autori i plagosjes është shoqëruar në komisariat.

NJOFTIMI I POLICISË:

Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, Policia kap dhe vë në pranga, menjëherë pas ngjarjes, autorin e dyshuar.

Rreth orës 11:30, tek terminali i autobuzëve në Mbyet, Fier, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. L. 50 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin K. L., rreth 40 vjeç.

Nga ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi në Komisariat, i shtetasit A. L., me të cilin po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Ndërkaq, i dëmtuari është transportuar në spitalin e Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Continue Reading

Aktualitet

Përfshihet nga flakët trageti i linjës Sarandë-Korfuz, detajet

Përfshihet nga flakët një traget në Sarandë. Mësohet se bëhet fjalë për tragetin që bën linjën Sarandë-Korfuz.

Mjeti lundrues kishte rreth 40 minuta që kishte ardhur nga Korfuzi.

Ndërkohë, zjarrfikësja ndodhet në vend. Fatmirësisht në momentin kur ndodhi zjarri në bordin e anijes nuk kishte pasagjerë.

Continue Reading

Aktualitet

E goditën me qytën e pistoletës në fytyrë, i riu përfundon në spital (EMRI)

Një sherr është regjistruar gjatë natës në Sarandë, ku një person është goditur me qytë pistolete. Ngjarja në shëtitoren e qytetit afër mesnate.

Kristo Ballkoni, 31 vjeç, banues në Sarandë dyshohet se është goditur me qytë pistolete në pjesën e fytyrës.

I riu është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës ku ka marrë ndihmën e parë për shkak të plagëve në fytyrë. Policia prej mesnatës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë dhe po grumbullon pamje filmike me qëllim identifikimin e autorëve.

Continue Reading

Aktualitet

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinjtë” burokratë

Zhvillimi i turizmit është lajm shumë i mirë për sektorin bankar. Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), thotë për “Monitor” se është tregu ai që duhet të përcaktojë drejtimet e zhvillimit, ndërsa sugjeron se ndërtimet në bregdet duhet të orientohen më shumë drejt hoteleve dhe ndërtesave të larta, për të shfrytëzuar më mirë hapësirën e kufizuar të tokës që ka vendi ynë. Sipas tij, mbështetja e turizmit në nivelet e vitit të kaluar do të jetë shumë e rëndësishme për ekonominë dhe sektorin bankar.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Bankës Amerikane të Investimeve gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Është një vit tjetër rekord për ABI në të gjithë treguesit financiarë dhe operacionalë. ABI është banka me raportin më të vogël të kredive të këqija, përfitueshmërinë më të madhe vjetore dhe rritjen organike më të shëndetshme në sistemin bankar.

Më vjen shumë mirë që ABI është gjithashtu banka me mesataren më të lartë të pagave në sistemin bankar.

Zhvillimi më i rëndësishëm në vitin 2023 ishte që vendime të rëndësishme kreditimi për sistemin bankar filluan të merren në Tiranë dhe u morën shqip. Ky është tashmë një fakt shumë domethënës, i mirëpritur nga biznesi dhe u konfirmua nga pjesëmarrja e suksesshme e bankave me pronësi të plotë apo të pjesshme lokale në disa sindikata të rëndësishme. Përveç likuiditetit të mjaftueshëm, në këtë dinamikë të re ka ndikuar dhe vendimmarrja e shpejtë e bankave lokale.

Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Zhvillimi i turizmit është lajm shumë i mirë për sektorin bankar. Turizmi ka vite që është i rëndësishëm dhe ABI ka qenë në pararojë të financimit të turizmit. Është fakt që qeveria shqiptare është qeveria më pro biznesit të turizmit në rajon. Kjo duket sidomos në drejtim të zhvillimeve rezidenciale në bregdet.

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinj” burokratë (si në rajonin e Ballkanit apo Mesdheut Verior), që ulërasin sa herë shikojnë të ndërtohet pallat në bregdet, apo ngrenë zhurma boshe për shkatërrimin e bregdetit, apo tregojnë përralla me oligarkë, apo dhe të marrë, që vazhdojnë të luftojnë komunizmin (në plazh) në 2024.

Uroj që Shqipëria të ndjekë shembullin e Majamit, ku tregu është ai që përcakton destinacionin e zhvillimit, dhe jo burokratët (e përsëris) “mendjexhinj”.

Shqipëria ka një bregdet shumë pak të zhvilluar, që krijon iluzionin e zhvillimit pa fund, por gjithsesi ne kemi një hapësirë relativisht të kufizuar toke, prandaj zhvillimi në bregdet mund të jetë më shumë me apart hotele / kondominium dhe jo vila pa fund.

Kuptohet, mbështetja e qeverisë me infrastrukturë për ndërtesa të larta në bregdet është çelës dhe vendimtare. Mendojmë se qeveria do të fillojë të mbështesë me garanci sovrane zhvillimin e infrastrukturës në vend, sidomos tani që borxhi publik në krahasim me PBB (por edhe borxhi privat në krahasim me depozitat) është në nivele tejet të ulëta.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

E para sfidë është që turizmi të vazhdojë të ndihmohet të mbajë ritmet e vitit 2023. Elementi i sigurisë dhe pranisë së forcave të rendit në bregdet gjatë sezonit do të duhet të përmirësohet. Do të ishte naive të merrej e mirëqenë rëndësia e qetësisë civile, sidomos gjatë sezonit. Duhen shumë më shumë njerëz, mjete dhe trajnim. Është në interes të sistemit bankar të vendosë turizmin dhe forcat e rendit në krye të mbështetjes sociale korporative.

Çdo lajm jo i mirë për sigurinë e turistëve në Shqipëri do të ekzagjerohet nga tregjet konkurrente. Sfida e dytë lidhet me përdorimin e bonove korporatave, ku Shqipëria është shumë e vonuar. Ky treg në vendet e zhvilluara është shumë më i madh se totali i kredidhënies bankare, ndërkohë që në sistemin bankar shqiptar është pothuaj joekzistent.

Theksoj, se kjo nuk është për faj të institucioneve rregullatore. Mbështetja e Bankës së Shqipërisë dhe AMF ka qenë e plotë dhe e kahershme dhe është një nga rastet pozitive kur institucionet rregullatore janë përpara tregut. Transferimi profesionist i balancës së bonove korporative dhe roli i bankave në këtë proces mendoj se do jetë një risi domethënëse në vitin 2024. ABI dhe partnerë të tjerë do të jenë pjesëmarrës aktivë në këtë proces./Monitor

Continue Reading

Aktualitet

Nëna me 3 fëmijët u mbytën në Bunë, motra e Alma Arrazit: Dhunohej barbarisht

Alma Arrazi së bashku me 3 fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në ujërat e lumit Buna pas dhunës së vazhdueshme nga Ergys Arrazi.

Mësohet se motra e Alma Arrazit, pas njoftimit se ajo dhe 3 fëmijët janë zhdukur, ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka treguar se e motra dhunohej barbarisht bashkë me fëmijët e saj nga bashkëshorti.

Dëshmia e saj, por dhe shenjat e dhunës në trupin e vajzës 9-vjeçare që u gjet e mbytur i krijuan bindjen policisë për ta vënë në pranga Erdgys Arrizin për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING