Connect with us

Politike

Leonard Karaj: Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe ai i Kushtetueses për Veliajn janë dy procedura të ndryshme

Avokati Leonard Karaj ka reaguar në emisionin ‘Jashtë kontrollit’ në NTV.AL me moderator Red Varaku, lidhur me debatet e shumta publike dhe mediatike mbi çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, , duke sqaruar se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë dhe ai i Gjykatës Kushtetuese nuk janë kontradiktorë, por lidhen me dy procedura të ndryshme juridike.

Sipas Karajt, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është krijuar një “kakofoni” në rrjetet sociale dhe media, ku shumë persona po japin interpretime juridike pa dalluar thelbin procedural të çështjes.

“Janë dy procese të ndryshme për të njëjtin subjekt. Nuk duhen ngatërruar”, u shpreh ai.

Karaj shpjegoi se më 6 maj, Veliaj ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Lartë për zbutjen e masës së sigurisë, pasi kishte kaluar më parë shkallën e parë dhe Apelin e GJKKO-së. Sipas tij, mbrojtja kishte kërkuar zëvendësimin e “arrestit me burg” me një masë më të lehtë, si “detyrim paraqitjeje”, me argumentin se Veliaj është një i zgjedhur dhe duhet të vazhdojë funksionin si kryebashkiak.

Megjithatë, Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave speciale.

“Gjykata e Lartë ka thënë se gjykata e shkallës së parë dhe Apeli nuk kanë gabuar në raport me masën e sigurisë ndaj zotit Veliaj”, tha Karaj.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, avokati sqaroi se ai nuk urdhëron lirimin e Veliajt dhe as ndryshimin e masës së sigurisë, por kërkon një arsyetim më të detajuar nga Gjykata e Lartë.

Sipas tij, Kushtetuesja ka kërkuar që Gjykata e Lartë të shpjegojë konkretisht pse Veliaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në “arrest me burg”, në përputhje me standardet e vendosura nga vetë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

“Gjykata Kushtetuese nuk thotë ‘ndryshojeni masën’. Ajo thotë: arsyetoni pse ky person duhet të qëndrojë në burg”, theksoi Karaj.

Ai shtoi se ky standard nuk duhet të vlejë vetëm për rastin Veliaj, por për të gjitha masat e sigurisë personale në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Sipas Karajt, barra për të justifikuar nevojën e arrestit me burg duhet të bjerë mbi prokurorinë dhe jo mbi avokatët mbrojtës.

“Kur prokuroria kërkon arrest me burg, duhet të japë arsye të forta dhe konkrete: një, dy, tre. Nuk mund të funksionojë sistemi me letra reference, raporte spitalore apo argumente emocionale”, deklaroi ai.

Në fund, avokati theksoi se debati duhet të fokusohet te standardi juridik i arsyetimit të masave të sigurisë dhe jo te interpretimet politike apo emocionale të çështjes.
[11:07 AM, 29/05/2026] Red Varaku: Basir Çollaku: Hetimet për Veliajn nuk kanë përfunduar, dyshimet shtrihen te familjarë dhe pastrim parash

Gazetari Basir Çollaku deklaroi në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV se procesi ndaj Erion Veliajt ndodhet ende në fazë hetimore dhe se, sipas tij, ekzistojnë shumë elementë që nuk janë mbyllur ende nga organet e drejtësisë.

Sipas Çollakut, bëhet fjalë për një proces gjyqësor që lidhet me disa akuza dhe me një sërë informacionesh të mbledhura nga strukturat e posaçme të hetimit, ndërsa hetimet, sipas tij, vijojnë dhe nuk konsiderohen të përfunduara.

Ai tha se në fokus të hetimeve nuk është vetëm kryebashkiaku Erion Veliaj, por edhe persona të afërt familjarë.

“Po hetohet edhe vëllai i tij për çështje që lidhen me hetimin pasuror, përveç bizneseve ku ka dyshime për pastrim parash. Nuk kemi vetëm zotin Veliaj, por edhe bashkëshorten, vëllain, nënën e bashkëshortes dhe histori të tjera të lidhura familjare”, u shpreh Çollaku.

Çollaku theksoi se shumë nga pretendimet e Prokurorisë mbeten ende të paprovuara në gjykatë dhe se fajësia apo pafajësia e personave të përfshirë do të përcaktohet vetëm nga drejtësia.

Ai shtoi se qytetarët shqiptarë presin përgjigje konkrete mbi fatin e parave publike dhe akuzat që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me fondet.

Në analizën e tij, Çollaku foli edhe për mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në Shqipëri, duke theksuar se proceset kalojnë në disa shkallë gjykimi dhe se vendimet e formës së prerë kërkojnë kohë.

“Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë janë hallka që e kompletojnë ciklin gjyqësor. Ka përgjime dhe materiale hetimore që janë administruar sipas procedurave ligjore dhe që kanë fuqi prove, por ato duhet të kalojnë në filtrin e gjykatës”, deklaroi ai.

Në fund, Çollaku ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit dhe numrin e madh të personave që po përballen me drejtësinë, duke shtuar se shoqëria shqiptare ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm për zbardhjen e aferave të dyshuara kriminale dhe korruptive.

Advertisement