Aktualitet
Lëvizja e Veliajt nga qelia/Rama mbledh urgjentisht të vetët
Vetëm pak orë pasi Erion Veliaj i hoqi Anuela Ristanit kompetencat e deleguara për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama mbledh sot deputetët socialistë të qarkut dhe të deleguarit politikë të kryeqytetit.
Takimi është parashikuar të nisë në orën 11:00 dhe vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për drejtimin politik dhe administrativ të Tiranës.
Një ditë më parë, Veliaj firmosi nga paraburgimi shfuqizimin e urdhrit që i kishte deleguar Anuela Ristanit ushtrimin e kompetencave të kryetarit të Bashkisë. Ristani mbetet nënkryetare, por nuk do të ushtrojë më detyrat e deleguara të kryebashkiakut.
Në argumentimin e vendimit, Veliaj pretendon se gjatë periudhës së fundit ka pasur shkëputje nga urdhrat e tij, mungesë koordinimi dhe moszbatim të vendimmarrjeve, duke arritur në përfundimin se delegimi nuk po përmbushte më funksionin për të cilin ishte dhënë.
Ndërkohë, Rama mbledh sot pikërisht strukturën politike të Tiranës. Sipas informacioneve të bëra publike, në fokus të takimit do të jetë organizimi i Partisë Socialiste në territor, puna e deputetëve dhe zbatimi në terren i mekanizmave të rinj të komunikimit me qytetarët.
Nuk është konfirmuar zyrtarisht se mbledhja është thirrur si pasojë e vendimit të Veliajt për Ristanin. Megjithatë, koha në të cilën zhvillohen dy lëvizjet e vendos sërish Bashkinë e Tiranës dhe raportin mes Veliajt dhe drejtimit politik të PS-së në qendër të vëmendjes.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse nga takimi i sotëm do të dalë edhe një qëndrim për situatën e krijuar në Bashkinë e Tiranës.