Politike
Lirimi i hapësirave publike, Rama: Puna për çlirimin e tyre vazhdon, problematike mbetet Vlora
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se puna për çlirimin e hapësirave publike vazhdon. Gjatë podcast-it të tij “Flasim”, Rama u shpreh se në Tiranë ka ecur më tej puna dhe sasia e hapësirave të çliruara ka kapërcyer mbi 100 mijë metra katrorë.
Ai tha se qyteti i Vlorës mbetet problematikë, ku puna për lirimin e tyre po vazhdon. Kreu i vendit, deklaroi puna ka ecur me çlirimin e një segmenti kyç, jo vetëm për Vlorën, por edhe për industrinë kombëtare të turizmit, që është rruga Transballkanike. Për të cilën tha se qytetarëve iu janë rikthyer sërish ambientet e tyre të përbashkëta.“Duke e rikthyer sërish vëmendjen tek hapësirat publike, edhe gjatë kësaj jave, puna për çlirimin e tyre vazhdon. Shtesat vend e pa vend, uzurpimet e pajustifikueshme dhe të patolerueshme vazhdojmë t’i përballim, pa u ndalur për asnjë moment.
Ndërkohë që, në Tiranë ka ecur më tej puna dhe sasia e hapësirave të çliruara ka kapërcyer mbi 100 mijë metra katrorë, edhe në Vlorë, ku problematika është jo e lehtë, puna ka ecur me çlirimin e një segmenti kyç, jo vetëm për Vlorën, por edhe për industrinë tonë kombëtare të turizmit, që është rruga Transballkanike, një zonë e rëndësishme, ku qytetarëve iu janë rikthyer sërish ambientet e tyre të përbashkëta, natyrisht kanë nevojë të rikualifikohen, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre që masivisht kalojnë nga ajo rrugë, do t’ju çelen sytë, kur i thonë fjalës.” tha Rama.