Kosova
Lobimi kundër Kosovës/ Serbia po minon marrëveshjet që vetë ka nënshkruar
Teksa ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Duriç, paralajmëron se Serbia synon të shfrytëzojë “gabimet diplomatike të Prishtinës” dhe të forcojë pozicionin e saj para partnerëve perëndimorë, një pjesë e ekspertëve në Beograd paralajmërojnë se kjo do të thotë shkelje e marrëveshjeve që obligojnë Serbinë të mos pengojë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, shpjegon se Beogradi prej vitesh interpreton selektivisht detyrimet e marra, megjithëse Marrëveshja e Ohrit qartë përcaktonte se Serbia nuk duhet të zhvillojë fushatë kundër njohjes së Kosovës apo të bllokojë integrimin e saj ndërkombëtar.
Ai shtoi se Serbia nuk ishte e detyruar të njohë Kosovën, por ishte e obliguar që të mos pengonte procesin e njohjes dhe afirmimit ndërkombëtar të saj.
“Kjo është mënyra e sjelljes së Serbisë. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së BrukselitBeogradi zyrtar nuk ben gje tjeter vecse riinterpreton disa detyrime sipas mënyrës së saj. Nëse marrim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si plani franko-gjerman, aty Serbia u angazhua të mos zhvillojë politikë aktive kundër njohjes dhe të mos krijojë pengesa për Kosovën. Nuk u detyrua të njohë Kosovën, por u angazhua qartë që të mos pengojë këtë proces”, theksoi Janjic I cili gjithashtu ka theksuar se përpjekjet për të lidhur çështjen e Kosovës me tema globale, mund të çojnë Serbinë në izolim më të thellë ndërkombëtar dhe ta largojnë më tej nga shumica e partnerëve perëndimorë.