Connect with us

Aktualitet

‘Luani nuk trembet nga zhurma e deleve’/ Dron për Safet Bajrin

Safet Bajri i njohur si i forti i Dobraçi është surprizuar sërish nga fancat e tij me një parashutë. I forti i Shkodrës ka marrë një mesazh inkurajues, ndërkohë që SPAK po thellon hetimet që lidhen me grupin e strukturuar kriminal “Bajri”. Në ambientet e burgut të sigurisë së lartë të Reçit u shfaq parashuta me mesazhin mbështetës për Safet Bajrin, Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin: Luani nuk trembet nga zhurma e deleve.

Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, janë emrat që janë përmendur së fundmi, pasi u morën të pandehur nga SPAK. Dyshja në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë planifikuar dhe organizuar një atentat për vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij në fshatin Rranxë të Bushatit. Sipas dosjes hetimore, ngjarja lidhet me konflikte të dyshuara për prishje të pazareve të drogës dhe përplasje mes grupeve kriminale, përfshirë edhe lidhje me grupin e njohur si “Bajri”, i drejtuar në publik si strukturë kriminale me emrin e Safet Bajrit.

Arrestimi i Safet Bajrit 

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre thuhej se ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Asmer Bilalit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Të tre në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Licit. Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre.

Advertisement