Bota
Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA godet për herë të parë infrastrukturën civile në Iran
Shtetet e Bashkuara kanë goditur për herë të parë një objekt të infrastrukturës civile në Iran, duke shënuar një përshkallëzim të dukshëm të konfliktit, vetëm disa orë pasi Donald Trump kërcënoi publikisht se do ta kthente vendin “në Epokën e Gurit”.
Sulmi ndodhi të enjten dhe kishte në shënjestër një urë të madhe pranë Teheranit, që lidh kryeqytetin me periferinë Karaj. Sipas zyrtarëve amerikanë, objektivi u godit për arsye ushtarake, me pretendimin se përdorej për transportimin e armëve dhe pjesëve të raketave drejt zonave të lëshimit në Iranin perëndimor.
Megjithatë, mediat shtetërore iraniane raportuan për pasoja në civilë, duke njoftuar për të paktën tetë të vrarë dhe 95 të plagosur.
Ura, e cila sipas disa burimeve ishte ende jo funksionale, u dëmtua rëndë dhe u shemb pjesërisht.
Përshkallëzim i objektivave
Goditja sinjalizon një zgjerim të listës së objektivave amerikane, që deri tani ishin përqendruar kryesisht në instalime ushtarake. Zyrtarë të mbrojtjes në SHBA i thanë Axios se ura cilësohej një nyje logjistike për furnizimin e forcave iraniane dhe për programin e raketave balistike dhe dronëve.
Një tjetër zyrtar paralajmëroi se edhe ura të tjera mund të bëhen objektiv në vijim, duke ngritur shqetësime për goditje të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike, ujore dhe të transportit – sektorë kritikë për popullsinë civile.
Retorikë e ashpër nga Trump
Pas sulmit, Trump reagoi në rrjetin e tij Truth Social, duke e cilësuar shkatërrimin e urës si një sukses dhe duke paralajmëruar goditje të tjera.
“Ura më e madhe në Iran u shemb dhe nuk do të përdoret më kurrë shumë të tjera do të pasojnë”.
Ai përsëriti gjithashtu thirrjen që Irani të arrijë një marrëveshje “para se të jetë tepër vonë”, duke paralajmëruar për pasoja edhe më të rënda në të kundërt.
Një natë më parë, gjatë një fjalimi në prime time, Trump kishte deklaruar se SHBA-të do ta godisnin Iranin “jashtëzakonisht fort” dhe se operacioni mund të përfundonte brenda dy deri në tre javësh.
Irani e cilësoi sulmin si pjesë të një fushate më të gjerë kundër objektivave civile. Misioni iranian në OKB akuzoi SHBA-të dhe Izraelin për sulme ndaj infrastrukturës civile dhe paralajmëroi se kërcënimet për shkatërrimin e rrjetit energjetik dhe kthimin e vendit në “Epokën e Gurit” do të mbeten në histori.
Ministri i Jashtëm iranian deklaroi se goditje të tilla nuk do të detyrojnë vendin të dorëzohet dhe se infrastruktura do të rindërtohet pas luftës.