Bota
Lufta po bëhet makth për Washingtonin/ Paralajmërimi tronditës i gjeneralit të Trump
Kryetari i Shefave të Shtabeve të Bashkuara, gjenerali Dan Caine, po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, pasi vlerëson se hapësira për përshkallëzim ushtarak është gjithnjë e më e kufizuar dhe mund të prodhojë pasoja të kundërta me objektivat e Washingtonit.
Sipas burimeve të cituara në raportime, Caine ka diskutuar shqetësimet e tij me drejtues të lartë të administratës Trump, përfshirë drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe nënpresidentin JD Vance. Në qendër të diskutimeve janë kufizimet e sulmeve ajrore dhe rreziku i një përshkallëzimi të ri.
Presidenti Donald Trump ka përjashtuar dërgimin e trupave tokësore në Iran dhe ka sinjalizuar se bombardimet mund ta detyrojnë Teheranin të pranojë një marrëveshje. Megjithatë, zyrtarë amerikanë vlerësojnë privatisht se vetëm fuqia ajrore mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur këtë objektiv.
Caine e ka shprehur publikisht këtë shqetësim, duke deklaruar në Kongres se “fuqia ajrore ka kufijtë e saj”. Ai ka paralajmëruar gjithashtu për presionin mbi rezervat amerikane të municioneve, të cilat disa komandantë i konsiderojnë në nivele shqetësuese.
Një tjetër problem është rreziku për aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik. Vendet e rajonit kanë frikë se një sulm i ri ndaj Iranit mund të shkaktojë kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës së tyre energjetike, ndërsa mungesa e sistemeve të avancuara amerikane të mbrojtjes ajrore mund ta vështirësojë përballimin e sulmeve iraniane.
Pavarësisht rezervave, Caine i ka bërë të qartë Trumpit se ushtria amerikane ka kapacitetin t’i shkaktojë dëme të mëdha Iranit. Megjithatë, privatisht ai ka ngritur shqetësime për efektivitetin e një fushate të zgjatur ajrore dhe pasojat që mund të ketë mbi rezervat amerikane të armëve, përfshirë ato të nevojshme për Izraelin dhe Ukrainën.
Brenda administratës amerikane po shqyrtohen tashmë alternativa për të ushtruar presion ndaj Teheranit pa kaluar në një luftë tokësore, e cila do të mund të kushtonte mijëra jetë amerikane.
Në këtë kuadër, një nga opsionet që po diskutohet është gjetja e një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Një zgjidhje e tillë do t’i mundësonte Trumpit të paraqiste një rezultat politik si sukses, duke lënë njëkohësisht hapësirë për diplomaci.
Zëdhënësi i Caine nuk pranoi të komentonte bisedat konfidenciale, ndërsa Shtëpia e Bardhë e cilësoi gjeneralin si një pjesëtar të rëndësishëm të ekipit të sigurisë kombëtare, i cili i paraqet presidentit alternativa dhe vlerësime të paanshme.