Connect with us

Kosova

LVV-ja në qendër të kritikave amerikane

Brenda pak muajve Lëvizja Vetëvendosje u mbajt përgjegjëse ekskluzive nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është fjala për pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën dhe moscertifikimin e Listës Serbe nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Më 12 shtator, SHBA-ja tha se po e pezullon Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë, e cila, sipas tyre, ka “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.

Ky veprim asokohe u ndërmor pak orë pasi e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, vlerësoi se deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ku sulmohej Gjykata Kushtetuese kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.

Në rastin e moscertifikimit të serishëm të Listës Serbe nga ana e KQZ-së, SHBA-ja, e bëri përgjegjëse vetëm LVV-në, përkundër që Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e Misioni i OSBE-së në Kosovë e shpërndan fajin edhe te partitë e tjera politike në vend, të cilat abstenuan gjatë votimit.

Komisioni Qendror Zgjedhor, të martën, refuzoi sërish certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetori. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, ajo e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, kanë votuar për. Ndërkohë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë abstenuar.

Në këtë kontekst, SHBA-ja këtë tentim të LVV-së e cilësoi si tentim “përçarës” dhe si përpjekje të “ngusht si vizion”.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

Në dy këto raste vërehet një gjuhë jashta konturave diplomatike ku SHBA-ja bën përgjegjëse direkt LVV-në përkundër që vite më herët në raste të ngjashme një gjë e tillë mënjanohej.

Advertisement