Connect with us

Bota

Magyar: BE duhet të pranojë Ballkanin para Ukrainës, për të ruajtur besueshmërinë

Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet t’i japë përparësi anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që prej vitesh janë në proces negociatash, përpara se të avancojë me kandidaturën e Ukrainës.

Në një intervistë për agjencinë austriake APA, gjatë vizitës së tij në Vjenë, Magyar theksoi se vendet e rajonit kanë bërë “kompromis të rëndësishëm politik dhe ekonomik” dhe kanë përmbushur një pjesë të madhe të detyrimeve të kërkuara nga Brukseli, por ende nuk kanë marrë anëtarësimin e premtuar.

Sipas tij, kjo qasje rrezikon të krijojë një perceptim të mungesës së seriozitetit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe të dëmtojë besueshmërinë e procesit të zgjerimit në tërësi.

Magyar nënvizoi se stabiliteti i rajonit nuk është vetëm çështje lokale, por një interes strategjik për gjithë Evropën, duke shtuar se çdo vonesë në integrim mund të ketë pasoja gjeopolitike.

Ai theksoi gjithashtu se të gjitha vendet kandidate duhet të trajtohen sipas të njëjtave kritere dhe procedura, duke refuzuar idenë e “rrugëve të ndryshme” të anëtarësimit në BE.

Duke u ndalur te Ukraina, kryeministri hungarez tha se anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian është një proces afatgjatë dhe nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt, duke shtuar se çdo vendim për këtë çështje duhet të merret vetëm pas përfundimit të luftës me Rusinë.

Ai gjithashtu konfirmoi mundësinë e organizimit të një referendumi në Hungari për këtë çështje, por vetëm nëse Ukraina ende synon anëtarësimin në BE pas përfundimit të konfliktit.

Magyar theksoi se vendimet për zgjerimin janë çështje sovraniteti për çdo shtet anëtar dhe se qytetarët duhet të kenë rol në përcaktimin e qëndrimeve kombëtare mbi pranimin e vendeve të reja në union.

Advertisement